Politike

KQZ teston Platformën Elektronike për votën e diasporës. Celibashi: Garanton standardin më të lartë të sigurisë (video)

Nga Gazeta ‘Si’- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka prezantuar dhe ka testuar testimin operacional teknik të Platformës Elektronike të Regjistrimit, e cila u krijon mundësinë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit të regjistrohen për të votuar nga zgjedhjet e përgjithshme të 2025.

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi tha se platforma e ndërtuar gëzon të gjitha standardet që përcaktojnë funksionalitetin dhe mbi të gjitha siguri të plotë.

“Platforma gëzon të gjitha ato cilësi që duhet të gëzojë. Kemi ndërtuar një platformë, e cila siguron plotësisht mbi identitetin e atij që aplikon. Krahasuar kjo me të ngjashmet e saj, përbën standardin më të lartë të sigurisë”, tha Celibashi.

Në këtë drejtim, ai siguroi se në krijimin e platformës janë marrë në konsideratë edhe të gjitha aspektet që lidhen me përdorimin e të dhënave personale dhe mbrojtjen e tyre.

Celibashi theksoi se platforma do të ketë shërbim chatbot (komunikim i drejtpërdrejtë), për të gjithë ata aplikues që nuk janë të familjarizuar me teknologjinë e informacionit.

“Personat e moshuar apo personat që nuk janë të familjarizuar me teknologjinë e informacionit do të asistohen për regjistrim në platformë përmes Whatsapp apo e-mail-it. Për këta persona do të sigurohet komunikim i drejtpërdrejtë”, tha ai.

Celibashi theksoi po ashtu se shqyrtimi i kërkesës për të votuar si votues nga jashtë bëhet 100% në mënyrë automatike.

“Kjo ndodh nëse përputhen të dhënat që ngarkon aplikuesi me databazën e të dhënave që ne kemi në sistem”, tha Celibashi.

Sipas tij, krijimi i llogarisë në platformën PER është vetëm faza e parë, por kushdo që kërkon të regjistrohet si votues nga jashtë duhet të plotësojë disa kushte të tjera.

Platforma do të jetë e disponueshme në versionet desktop dhe mobile, pa pagesë, për të siguruar akses të gjerë dhe përdorim të lehtë nga çdo pajisje.

Platforma përbëhet nga dy module kryesore: Moduli i regjistrimit, ku zgjedhësit paraqesin kërkesat e tyre për regjistrim, dhe Moduli i shqyrtimit të kërkesave, që mundëson verifikimin dhe menaxhimin e tyre nga autoritetet përkatëse.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë