Nga Gazeta ‘Si’- Bashkimi Europian ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë për të mos miratuar rezultatet përfundimtare për Listën Serbe, partinë kryesore të serbëve të Kosovës, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Një zëdhënës i BE-së theksoi se Unioni “përsërit thirrjen për depolitizimin e punës së KQZ-së”, duke u bazuar në rekomandimet e Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve.
Ai u bëri thirrje të gjitha forcave politike që të bashkëpunojnë në përputhje me Kushtetutën, duke nënvizuar se është thelbësore që të gjithë kandidatët e zgjedhur të mund të marrin mandatet e tyre në Kuvend.
KQZ-ja miratoi më 31 janar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare, por la jashtë konfirmimit rezultatet për Listën Serbe. Ky vendim u kundërshtua ashpër si nga vetë partia, ashtu edhe nga Beogradi zyrtar, duke e cilësuar atë të papranueshëm.
Nga votimi në KQZ, tre anëtarë u shprehën pro konfirmimit të rezultateve të Listës Serbe, dy anëtarë nga Lëvizja Vetëvendosje votuan kundër, ndërsa anëtarët e tjerë abstenuan.
Pas këtij zhvillimi, Lista Serbe paraqiti më 2 shkurt një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke e quajtur vendimin “të paligjshëm dhe diskriminues” dhe duke pretenduar se ai anulon mbi 42 mijë vota të fituara në zgjedhje.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Lista Serbe siguroi nëntë nga dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës.
Edhe Misioni i OSBE-së në Kosovë reagoi, duke bërë të ditur se po ndjek nga afër situatën dhe duke kërkuar respektim të standardeve ndërkombëtare zgjedhore. OSBE-ja theksoi rëndësinë e publikimit transparent dhe gjithëpërfshirës të rezultateve, si garanci për siguri juridike dhe trajtim të barabartë të të gjithë pjesëmarrësve në procesin zgjedhor.
Vendimi i KQZ-së u kritikua gjithashtu edhe nga Shtetet e Bashkuara. Ambasada amerikane në Prishtinë i tha REL-it se ky vendim është “në kundërshtim me të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur në mënyrë demokratike përfaqësuesit e tyre”, duke paralajmëruar se çdo shkelje e këtij parimi minon partneritetin mes SHBA-së dhe Kosovës.
Ndërkohë, Albin Kurti pritet ta formojë pa vështirësi Qeverinë e re. Megjithatë, ai ka pranuar se për çështje madhore, si zgjedhja e presidentit apo ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, do të jetë i domosdoshëm ndërtimi i një raporti të ri mes pushtetit dhe opozitës, pasi për këto procese kërkohen dy të tretat e votave në Kuvend.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



