Nga Gazeta ‘Si’- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës nuk e ka certifikuar Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve të Kosovës – për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, duke nxitur reagim nga Serbia, e cila e dënoi vendimin.
Lista Serbe tha se vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për moscertifikimin e saj për zgjedhjet lokale të tetorit është “i paligjshëm dhe diskriminues” i kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.
Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, në një konferencë për media më 22 gusht tha se megjithëse Zyra për partitë politike rekomandoi certifikimin, KQZ-ja vendosi ta refuzonte këtë rekomandim.
“Është e qartë se Kurti dhe anëtari i tij në KQZ, para së gjithash mendoj për Alban Krasniqin, bashkëshortin e [ministres në detyrë të Drejtësisë] Albulena Haxhiut, nuk mund t’ia falin Listës Serbe faktin që ajo nuk u zgjodh në pozitën e kryetares së Kuvendit të Kosovës”, tha ai.
“Ky reagim i Albin Kurtit është, para së gjithash, për të fituar pikë të lira politike. Ne do të ndërmarrim të gjitha veprimet ligjore që janë të nevojshme, me qëllim që para së gjithash të sigurojmë certifikimin e të gjithë kandidatëve, si për kryetarë komunash, ashtu edhe për asamblistë”, shtoi Ellek.
Sipas Ellekut, sa i përket përfaqësimit politik të serbëve në Kosovë, në njërën anë është partia e tij, ndërkaq në anën tjetër janë “disa parti kuazi-serbe që i mban Albin Kurti”, duke shtuar se me moscertifimin e Listës Serbe, Kurti “dëshiron ta ndajë trupin politik serb”
Igor Simiq, nga Lista Serbe, tha se ankesa ndaj vendimit të KQZ-së është shkruar dhe pas konferencës për media do t’i dërgohet Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



