Situata e tensionuar në Vaun e Dejës të enjten ku u dogjën materialet zgjedhore në KZAZ numër 6 ka detyruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të marrë vendim për të ndryshuar vendndodhjen nga shkolla profesionale “Ndre Medja”.
Pas incidentit të ndodhur prefekti i Shkodrës, Çesk Millja i ka propozuar KQZ-së zhvendosjen e këtij ambienti për shkak se ambienti pas sulmeve të ndodhura nga mbështetës të opozitës e kanë bërë jo të përshtatshëm një ambient të tillë.

“Sikundër jeni njohur është dëmtuar plotësisht palestra e shkollës, prefekti ka propozuar për zhvendosjen nga shkolla e mesme profesionale, në një ndërtesë private, në pronësi të firmës Dodani, me një sipërfaqe 400 metër katrorë, e cila ndodhet në hyrë të këtij qyteti. Ambienti plotëson kushtet”, tha sekretari i Përgjithshëm i KQZ-së.
Prej ditësh Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për shkak të tensioneve të krijuara në Zonat Zgjedhore që pjesë e administrimit të bashkive të opozitës ka marrë vendime për të ndryshuar vendndodhjen nga ambientet e shkollave apo në institucione të tjera në ambiente private. KQZ është edhe në presionin e kryetarëve të bashkive të opozitës i kanë kërkuar zyrtarisht lirimin e këtyre ambienteve.
Edhe pse rekomandimi i OSBE-së dhe ODHIR-it në raportet e ndryshme kanë propozuar shmangien e ngritjes së qendrave të votimit në ambientet private, KQZ-ja duket se ka gjetur të vetmet zgjidhje për momentin.
Por sikur të mos mjaftonte kjo KQZ-ja po cakton në ambientet private edhe të KZAZ-ve apo dhe Vendeve të Numërimit të Votave, veçanërisht në zonat si Pogradeci, Kukësi, Selenica, qytete që drejtohen nga kryebashkiakët e opozitës. Kjo zhvendosje tre apo katër ditë përpara zgjedhjeve lokale shihet si në kundërshtim më ligjin zgjedhor.
Në Kukës për shkak të ndryshimeve të shpeshta të QV-ve, Partia Socialiste ka postuar në rrjetet socialiste për zgjedhësit e saj vendndodhjen e tyre më qëllim për të mos i ngatërruar në ditën e votimit. Kjo pasi KQZ ditët e fundit ka zhvendosur nga ambientet publike, në ambiente private, 17 Qendra Votimi në Kukës. PS-ja lokale bën të ditur se këto Qendra Votimi janë në qytetin e Kukësit, si dhe në Njësitë Administrative: Tërthore, Shtiqen, Bicaj dhe Zapod. Sa i përket Qendrave të tjera të Votimit, ato do të jenë në të njëjtat ambiente, ku janë zhvilluar votimet edhe më parë. Po sipas PS, ky ndryshim i vendit të votimit, është bërë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas vendimit të pushtetit lokal, për mbylljen e këtyre ambienteve. Bashkia Kukës numëron 88 Qendra Votimit, në total, ku janë thirrur për të marrë pjesë në zgjedhje më shumë se 44 mijë zgjedhës, të cilët jetojnë në qytetin e Kukësit dhe 14 Njësitë Administrative të tij. Kukësi ka 1 Komision Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve, i cili, pas vendimit të pushtetit lokal për të liruar ambientet e godinës së shkollës “Havzi Nela”, KQZ e zhvendosi KZAZ-në nr:11 në një ambient privat, ish-hotel Drini, në afërsi të Institucionit të Prefektit.

Në total KQZ-ja ka krijuar rreth 700 Qendra Votimi në ambiente private, veçanërisht në ato zona që mund të cilësohen si pika të nxehta në ditën e zgjedhjeve më 30 qershor.
Ndërkaq për herë të parë Qendrat e Votimit po krijohen edhe në institucionet shëndetësore. Janë 100 ambulanca që do të shërbejnë si Qendra Votimi, dy Infermieri, si dhe 172 Qendra të Shëndetësore. Gjithashtu në 30 qershor QV-të do të ketë edhe në Spitale. Të gjithë këto janë në pronësi të ministrisë së Shëndetësisë dhe jo të njësive të qeverisjes vendore.
Gjithashtu sipas listës zyrtare të vendndodhjeve të publikuara nga ana e KQZ-së nuk mungojnë që Qendrat e Votimit të ngrihen në ndërmarrjet e Ujësjellësit apo dhe në Zonat e Përpunimit të Naftës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




