Kosova

KQZ-ja e Kosovës nuk certifikoi Listën Serbe, SHBA: Kurti, përpjekje përçarëse!

Nga Gazeta ‘Si’- Bashkësia ndërkombëtare ka dënuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë për të mos e certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë tha se përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe “janë shkurtpamëse dhe përçarëse”.

Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë tha se “politizimi i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë e tjera politike është i dëmshëm për procesin zgjedhor gjithëpërfshirës”.

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, tha se ndihet “i shqetësuar” për përpjekjen e fundit nga aktorët politikë për të mos e lejuar Listën Serbe të marrë pjesë në proceset zgjedhore.

“Veprime të tilla rrezikojnë të minojnë reputacionin e fituar me vështirësi të Kosovës si një demokraci shumetnike dhe të dëmtojnë marrëdhëniet me partnerët e saj të ngushtë”, tha Hargreaves në Facebook.

Gjatë një mbledhjeje të martën pasdite, anëtarët e KQZ-së nuk e certifikuan Listën Serbe, e cila është partia më e madhe e serbëve të Kosovës, dhe, njëkohësisht, është e vetmja që e gëzon mbështetjen e Beogradit.

Rekomandimi për certifikimin e saj i mori vetëm 2 vota për, ndërsa 2 anëtarë votuan kundër dhe 7 abstenuan.

Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, ishin të vetmit që votuan kundër.

Kurteshi tha gjatë mbledhjes se “e kam thënë gjithmonë se kjo parti punon kundër interesave të Kosovës”.

Anëtarët e partive të tjera politike shqiptare në KQZ, nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, abstenuan nga votimi.

Lista Serbe mund të ankohet ndaj këtij vendimi në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Ambasada amerikane paralajmëroi gjithashtu se vendime të tilla do të ndikojnë në marrëdhëniet e SHBA-së me Kosovën, përfshirë Dialogun e pezulluar Strategjik.

“Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësi t’i ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike. Veprime të tilla minojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, duke përfshirë edhe rifillimin e dialogut tonë strategjik për të avancuar mundësitë për bizneset amerikane dhe kosovare”, tha ajo.

SHBA-ja e pezulloi në shtator nisjen e Dialogut Strategjike, duke e arsyetuar këtë me veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të cilat, sipas saj, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë”.

Kjo është hera e tretë që KQZ-ja nuk e certifikon fillimisht këtë parti, pasi ngjashëm veproi edhe për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit dhe për zgjedhjet lokale të 12 tetor.

Në të dy rastet e mëhershme, PZAP-ja ia kishte rrëzuar vendimin e KQZ-së.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lista Serbe i fitoi 9 prej 10 ulëse të garantuara për pakicën serbe në Kuvendin e Kosovës.

Ndërsa, ajo i fitoi të gjitha 10 komunat me shumicë serbe në zgjedhjet lokale të tetorit, duke u rikthyer në pushtet pasi i kishte braktisur institucionet e Kosovës më 2022.

Kosova do të mbajë zgjedhje të parakohshme këtë muaj sepse partia në pushtet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, nuk arriti në dy përpjekje ta marrë mbështetjen e Kuvendit për një mandat të ri.

Ajo i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, por 48 ulëse në Kuvend ishin të pamjaftueshme për të qeverisur e vetme dhe ajo nuk gjeti një partner për të formuar qoftë edhe një qeveri të pakicës prej 61 ulësesh në Kuvend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë