Gazeta Si – Ish-gjyqtarja e Gjykatës së Apelit Shkodër, Hajrie Muçmata nuk do të jetë më pjesë e sistemit të drejtësisë në vend.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli këtë të martë vendimin për lënien në fuqi të shkarkimit të gjyqtares Muçmata, e cila u largua nga detyra tre vite më parë prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Shkak për shkarkimin ka qenë mungesa e origjinës së burimeve në blerjen e një apartamenti dhe një lokali, ku për këtë të fundit u konstatua edhe deklarim i rremë i burimit të krijimit.
Muçamata nuk ishte e pranishme gjatë shpalljes së vendimit, por ajo u përfaqësua nga avokatja Irena Reso.
Vendimi u mor nga trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Rezarta Schuetz relatore, Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Sokol Çomo anëtarë.
Karriera e Hajrie Muçmatajt në sistemin e drejtësisë ka filluar në vitin 1999, si gjyqtare në Gjykatën e Kukësit. Në vitin 2009, ajo u emërua inspektore pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë ndërsa në vitin 2016, Znj. Muçmata u dekretua anëtare e Gjykatës së Apelit të Shkodrës nga Presidenti i Republikës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




