I zhveshur nga kostumi i kryediplomatit grek që prej tetorit të vitit të kaluar, Nikos Kotzias mund të flasë i shpenguar tashmë mbi marrëdhëniet mes Athinës me fqinjët e vet, e sidomos mbi marrëveshjen e detit me Shqipërinë, për të cilën aq shumë u investua, së bashku me homologun e tij shqiptar, Ditmir Bushati.
Në një intervistë dhënë për mediat greke, Nikos Kotzias u është vërsulur zërave kryesisht të opozitës dhe të ekstremistëve në Athinë për gjuhën e përdorur ndaj Shqipërisë.
“Personalisht nuk do të reagoja me këtë gjuhë kundër Shqipërisë. Ishte Demokracia e Re që e pranoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, por edhe si vend kandidat për në BE pa asnjë kusht, ndaj sjellja aktuale është hipokrite”, deklaroi ai duke iu kundërvënë kreu të opozitës greke, Qiriakos Mitsotaqis, i cili ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj Shqipërisë pas vrasjes së ekstremistit grek nga forcat RENEA në fshatin e Bularatit, duke kërcënuar madje edhe me bllokimin e integrimit të vendit në BE.
I njohur me ndryshimet në kabinetin qeveritar shqiptar ai ndalet të komentojë largimin e Ditmir Bushatit. Pasi e vlerëson kryediplomatin shqiptar, të shkarkuar publikisht nga Edi Rama arsyen nuk e gjen tek koha e gjatë në krye të Ministrisë së Jashtme, ashtu siç Kryeministri shqiptar e argumentoi në mbledhjen e Asamblesë së PS-së më 28 dhjetor.
“Mendoj se Ditmir Bushati nuk u largua sepse kishte shumë vite në atë detyrë, por sepse kishte një këndvështrim tjetër për çështjen e Kosovës. Ai ishte kundër ndryshimit të kufijve me Serbinë”, deklaron Kotzias.
Për marrëveshjen e detit thotë se ajo ishte e mbyllur, por kishte dy ngërçe madhore. Ngërçi i parë ishte në Tiranë, i dyti në Athinë.
“Së pari, Shqipëria nuk kishte Gjykatë Kushtetuese për të certifikuar marrëveshjen në një sërë çështjesh. Problemi i dytë ka të bëjë me Greqinë. Një pjesë e mirë e qytetarëve grekë nuk janë të gatshëm që të pranojnë ligjërisht se lufta mes Shqipërisë dhe Greqisë ka mbaruar tashmë”, deklaroi ai.
Pyetjes së gazetarit nëse kjo do të thotë se teknikisht dy vendet, edhe pse aleate në NATO, janë ende në luftë, Kotzias nënkuptoi me heshtje që po, ndërsa premtoi se në një kohë të dytë do të flasë më me hollësi për këtë temë dhe pasojat e saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





