Ekonomi

Kostot në ndërtim u rritën fare pak, por çmimet e shtëpive vetëm ngrihen

INSTAT raporton se kostot në ndërtim janë rritur lehtë në masën 0,3%, por në këtë rritje të lehtë nuk kanë ndikuar materialet e ndërtimit.

Indeksi i Kushtimit në Ndërtim, në tremujorin e dytë 2019 arriti 103,8, duke shënuar rritje me 0,3 %, në krahasim me tremujorin e dytë 2018.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, indeksi i grupit ”Kosto të tjera” u rrit me 1,4 %, pasuar nga grupi ”Shpenzime makinerie” me 0,9 % dhe “Shpenzime për paga” me 0,8 %.

Rënie kanë shënuar grupet “Shpenzime transporti” me 0,6 % dhe “Shpenzime materiale” me 0,3 %.

Në tremujorin e dytë 2019 ndryshimi tremujor i indeksit të kushtimit në ndërtim shënoi rënie me 0,01 %. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2019, rënie kanë shënuar grupet “Kosto te tjera” me 1,0 %, “Shpenzime për paga” me 0,4 dhe “Shpenzime materiale” me 0,2 %. Rritje ka shënuar grupi “Shpenzime transporti” me 0,6 %.

Pavarësisht rritjes së papërfillshme të kostos në ndërtim për banesa, çmimi i apartamenteve sa vjen e rritet kryesisht në kryeqytet.

Sipas agjencive imobiliare çmimet e shitjes së apartamenteve në Tiranë, kryesisht në zonat e preferuara janë rritur nga janari 2019 me 100-200 euro për metër katror, edhe pse nuk shihet një rritje e konsiderueshme kërkese për blerje.

Sipas tyre, kërkesat për blerje janë për apartamente familjare në zona të lira si Astiri, Fresku, etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë