Më 3 mars, Donald Trump mori dy vendime të rëndësishme. Njëra ishte vendosja e tarifave 25% për Kanadanë e Meksikën, dhe rritja e tarifave për Kinën në 20%. Miratimi i tarifës 25% për Europën pritet të miratohet shpejt.
Së bashku, këto katër ekonomi prodhojnë 61% të të mirave që importon SHBA. vendimi tjetër i rëndësishëm ishte ndalimi i ndihmës ushtarake për Ukrainën, duke i dhënë vendit dy “mundësi”, dorëzimin ose humbjen. Shoku i Trump, Vladimir Putin duhet të jetë i lumtur: presidenti amerikan po përçan Perëndimin para syve të tij.
Këto dy vendime të thjeshta, janë domethënëse për botën e jashtme. Ato përfaqësojnë fundin e një marrëdhënie tregtare liberale dhe të rregulluar me shtetin më të fuqishëm në botë, që e krijoi vetë këtë sistem. Ato gjithashtu janë një braktisje e aleatëve nga Trump që po bashkohet tashmë me armiqtë. Trump, qartazi e mendon Rusinë më të rëndësishme se Europa.
Në të dyja rastet ai e ka gabim. Siç thoshte Maurice Obstfel, ish-ekonomist në FMN, deficitet tregtare të SHBA-së nuk janë pasojë e me mashtrimeve, por si pasojë shpenzimeve më të larta se të ardhurat. Përcaktuesi më i madh i deficitit tregtar të Amerikës është deficiti i madh fiskal federal, aktualisht në rreth 6 për qind të PBB-së. Plani i Senatit të kontrolluar nga republikanët për të bërë uljet e taksave në vitin 2017, garanton që ky deficit do të vazhdojë të paktën për aq kohë sa tregjet e financojnë atë. Nisur nga kjo, përpjekjet për të mbyllur deficitet tregtare me tarifa janë si të përpiqesh të palosësh një tullumbace të mbushur me ujë.
Për të kuptuar këtë, duhen disa njohuri makroekonomie, që Trump nuk i ka. Kjo nuk është e vetmja e metë e tij. Trump thotë: “Le të jemi të sinqertë, BE-ja u ndërtua për të shkatërruar SHBA-në. Ky është qëllimi dhe ia kanë dalë mirë. Ata nuk marrin asgjë nga ne, ne marrim shumë gjëra prej tyre”.
Të dyja pretendimet janë idiotësi. BE-ja u formua për të çuar më tej bashkëpunimin ekonomik dhe politik të Europës, që ishte shkatërruar nga dy luftëra të tmerrshme. Amerika e përkrahu këtë qëllim, por ajo ishte një Amerikë shumë ndryshe nga e sotmja.
Ekonomisti danez Jesper Rangvid thotë se Trump shikon vetëm tregtinë e mallrave e jo shërbimeve apo fitimeve nga kapitali dhe puna. Ndodh që të ardhurat që SHBA nxjerr nga eksportet e saj të shërbimeve të paktën në Eurozonë dhe kthimet e kapitalit dhe pagat e punës që ajo ka eksportuar atje kompensojnë deficitet e saj dypalëshe në mallra. Bilanci i përgjithshëm i llogarisë korrente dypalëshe të Eurozonës me SHBA-në është afër zeros, madje as kjo nuk ka rëndësi. Por bilancet dypalëshe vetëm në mallra janë më pak të rëndësishme edhe sesa bilancet e përgjithshme dypalëshe. Duke pasur parasysh se si i fiton paratë e tij, Trump ka pasur një deficit të madh në mallra gjatë gjithë jetës së tij. Nuk duket se ka bërë shumë dëm.
Për Meksikën dhe Kanadanë, kostot ekonomike të tarifave do të jenë të larta duke qenë se eksportet e tyre të mallrave në SHBA përbëjnë respektivisht 27 dhe 21% të PBB-së. Eksportet e mallrave nga Europa ishin sa 2.9% e PBB-së. Pra, efekti i tyre nuk do të jetë aq i mirë. Mbi të gjitha do të shkaktojë një luftë të pajustifikueshme dhe të panevojshme tregtare.
BE-ja do të duhet të hakmerret. Marrëdhëniet transatlantike do të dëmtoheshin përgjithmonë.
Edhe lufta tregtare, sado e egër, zbehet në krahasim me pritjen e Volodymyr Zelenskyy në Zyrën Ovale nga presidenti dhe zëvendëspresidenti amerikan të premten e kaluar dhe pezullimi i mëpasshëm i ndihmës ushtarake për Ukrainën. Qëllimi mund të jetë të detyrohet Zelenskyy të nënshkruajë marrëveshjen e mineraleve. Por problemi më i madh është se Zelenskyy nuk i beson Putinit, për arsye të mirë, dhe tani nuk ka asnjë arsye për t’i besuar as Trumpit. Gjithashtu Trump mund të dëshirojë një “marrëveshje paqeje”, por pse Putini do të pranonte një marrëveshje të vërtetë nëse Ukraina është e tija?
Të dy burrat po nënvlerësojnë vullnetin e ukrainasve për të qenë një popull i lirë. Por nëse ky synim do të arrihet, Europa do të duhet të marrë përsipër barrën e sigurimit të mbrojtjes së saj dhe të mbështetjes së asaj të Ukrainës. Friedrich Merz, kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, kishte të drejtë kur tha se “prioriteti i tij absolut do të jetë forcimi i Europës sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që, hap pas hapi, të mund të arrijmë vërtet pavarësinë nga SHBA”. Edhe këto hapa duhet të ndërmerren shpejt. Njëra do të jetë përshpejtimi i transferimit të më shumë se 200 miliardë eurove në rezervat e sekuestruara ruse në Ukrainë. Një tjetër do të jetë një krijimi i një sigurie të lartë tani që angazhimi i SHBA ndaj NATO-s ka dështuar.
BE plus Mbretërinë e Bashkuar ka një popullsi të kombinuar 3.6 herë më të madhe se Rusia dhe një PBB, me fuqi blerëse, 4.7 herë më të madhe. Problemi, pra, nuk është mungesa e burimeve njerëzore ose ekonomike: nëse Europa mund të bashkëpunojë në mënyrë efektive, ajo mund të balancojë Rusinë ushtarakisht në afat të gjatë. Por vështirësia është në afat të mesëm, pasi Europa nuk është në gjendje të prodhojë disa pajisje të rëndësishme ushtarake, nga të cilat varen ajo dhe Ukraina. A do të refuzonte SHBA-ja të furnizonte armë të tilla nëse europianët do t’i blinin ato? Një refuzim i tillë për furnizim do të ishte një moment i së vërtetës.
Trump po bën luftë ekonomike dhe politike ndaj aleatëve. Por rënia e besimit të vendeve që dikur ndanin vlerat me të do t’i kushtojë shumë edhe Amerikës.
Nga Martin Wolfe, redaktor i lajmeve mbi ekonominë në FinancialTimes
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



