Treg

Kostot e prodhimit në vend vazhduan të rriten edhe në 2023-shin. Bien çmimet e importit

Nga Gazeta ‘SI’ – Në tre muajt e parë të vitit 2023, çmimet e prodhimit vazhduan të qëndrojnë të larta dhe patën një rritje të fortë, me 9.4%. Gjithsesi nga një vit më parë, kur nisën efektet  e parë të krizës së çmimeve, rritja është përgjysmuar.

Rritjen më të madhe e ka pasur seksioni i energjisë me 18.3%, industria nxjerrëse 13% dhe industria përpunuese me 7%.

Për tregun vendas, çmimet e prodhimit janë rritur me 9.3% ku sipas grupeve rritjen më të madhe e ka pasur industria nxjerrëse me 21.3% dhe më pas industria përpunuese me 11%.

Për tregun e jashtëm, pra produktet që prodhohen në Shqipëri dhe eksportohen, çmimet janë rritur me 9.1% për të njëjtën periudhë, drejtuar nga rritja e energjisë, me 35%.

Më herët, Banka e Shqipërisë raportoi se në gjysmën e dytë të vitit 2022, inflacioni në vend po drejtohet nga presionet e brendshme të çmimeve më shumë se ato të jashtme.

Indeksi i Çmimeve të Prodhimit mat ecurinë e çmimeve të produkteve që prodhohen në Shqipëri dhe shiten në tregun vendas ose eksportohet.

Nga ana tjetër, çmimet e importit patën një ngadalësim të dukshëm nga 2022-shi, duke u rritur me vetëm 1.2%. një vit më parë kjo vlerë ishte rreth 11%. Energjia pati rritjen më të madhe të çmimit në këtë indeks, me 6.5%, ndjekur nga industria nxjerrëse me 5% dhe përpunuese me 0.8%.

Indeksi i Çmimeve të  Importit mat ecurinë e çmimeve të transaksioneve të produkteve industriale të importuara për tu shitur në tregun vendas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë