Nga Gazeta ‘SI’ – Në vitin 2024, indeksi vjetor i çmimeve të prodhimeve bujqësore arriti në 149.6 nga 142.8 që ishte në 2023, duke shënuar një rritje me 4.8%. Rritja më e madhe është regjistruar tek produktet bimore, me një mesatare vjetore prej 9.1%, ndërsa produktet blegtorale kanë shënuar një rritje shumë më të moderuar prej vetëm 0.4%.
Brenda grupit të produkteve bimore, perimet kanë qenë kampionët e inflacionit, me një rritje prej 21.6%. Ndërkohë, vaji i ullirit me një rritje prej 11.3% në raport me vitin 2023.

Drithërat dhe agrumet shënuan rënie të ndjeshme të kostove të prodhimit, përkatësisht me 15.4% dhe 12.2%.
Për sa i përket produkteve të drufrutorëve, rritja ishte më e butë, me 4.3%, ndërkohë që frutat janë shtrenjtuar me 6.1% dhe rrushi me 3.7%. Kostot e prodhimit të ullinjve kanë pasur një rritje të qëndrueshme prej 5.0%, ndërsa vera, një produkt i përpunuar bujqësor, ka ndjekur një trend më të butë me vetëm 2.4%.
Në sektorin e blegtorisë, çmimet kanë qëndruar pothuajse të pandryshuara. Rritjet më të larta janë regjistruar tek gjedhët (2.9%), të imtat (3.1%) dhe mjalti (2.6%). Nga ana tjetër, ka pasur edhe ulje çmimesh, kostot e rritjes së derrave ranë me 3%, ndërsa qumështi i lopës dhe qumështi në përgjithësi kanë pasur një rënie prej rreth 1%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.