Biznes

Kostot e ndërtimit u rritën vetëm 1% në fillim të vitit

Nga Gazeta ‘SI’- Kostot e ndërtimit patën një rritje të papërfillshme në fillim të vitit 2025.

INSTAT raporton se indeksi që mat këtë tregues u rrit me 1% në tremujorin e parë, nga 3.4% që ishte para një viti.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime për paga” me 5.2 %, pasuar nga grupet “Shpenzime makinerie” me 2.4 %, “Kosto të tjera” me 2%, “Shpenzime transporti” me 1.7 %, dhe “Shpenzime energjie” me 0.6 %.

Nga ana tjetër grupi “Shpenzime materiale” shënoi ulje me 1,1 %. Brenda grupit “Shpenzime materiale”, indeksi i nëngrupit “Materiale elektrike dhe komunikimi” shënoi uljen më të lartë prej 2,2 %, pasuar nga grupet “Materiale ndërtimi” dhe “Materiale hidro-sanitare dhe ventilimi” përkatësisht me 0,8 % secila. Zhvlerësimi i euros duket të ketë dhënë efekt në materialet e përdorura në ndërtim, pasi pjesa më e madhe e tyre janë produkte importi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë