Ne rrjet

Kosovë, zgjedhjet e parakohshme të pashmangshme

Pas dorëheqjes befasuese të kryeministrit Ramush Haradinaj, pasi ai ftua për t’u marrë në pyetje nga prokurorët e krimeve të luftës në Hagë, presioni mbi Presidentin Hashim Thaçi për të shpallur zgjedhje të parakohshme është rritur ndjeshëm, duke e bërë këtë skenar të pashmangshëm.

Asnjë nga partnerët e koalicionit qeverisës nuk duket i interesuar të propozojë një kryeministër të ri, duke sinjalizuar se janë në favor të zgjedhjeve të reja. Por Thaçi nuk e ka marrë ende një hap të tillë, duke shkaktuar jo pak kritika.

Sinjalet nga Prishtina thonë se nëse Thaçi nuk vepron, deputetët mund të shpërndajnë parlamentin, duke e detyruar presidentin të caktojë një datë zgjedhjeje brenda 45 ditëve.

"Unë do t'u bëj thirrje kolegëve të mi nga partitë politike që të mblidhen në Kuvend, të shpërndajnë parlamentin dhe të bien dakord për një datë zgjedhjesh. Kjo është zgjidhja më e mirë”, deklaroi kryetari i parlamentit Kadri Veseli të hënën.

Thaçi filloi konsultimet me partitë politike të martën, në përpjekje të gjetjes së një zgjidhjeje të mundshme, edhe pse nuk i ka takuar ende drejtuesit e partive kryesore parlamentare në vend. Ai ka takuar “të vegjlit” e politikës, duke përmendur edhe mundësinë e krijimit të një strukture të re qeverisëse, ndonëse kërkesat e partive janë që të shpallen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Presidenti Hashim Thaci dhe Ramush Haradinaj

“Republika e Kosovës ka mbetur pa qeveri. Tani shtrohet nevoja për hapa konkret, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës për të pasur sa më shpejtë një qeveri funksionale e efektive. Kjo qeveri duhet të reflektojë vullnetin e partive politike për një kryeministër të ri apo një proces elektoral të ri dhe të bëjë të mundur që Kosova të bëhet sa më shpejtë me qeveri”, theksohet në komunikatën e presidences..

Takimet me partitë tjera politike, sipas komunikatës, do të vazhdojnë në ditët e ardhshme, varësisht nga agjenda dhe zhvillimet brenda vetë partive politike përkatëse.
Të mërkurën, Thaçi ka paralajmëruar edhe takimin me Kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve KQZ-së, Valdete Daka.

Haradinaj u takua të martën me partnerët e tij të koalicionit qeverisës për të diskutuar zgjidhjen e krizës politike, megjithëse përfaqësuesit e partisë së Thaçi, PDK-së nuk morën pjesë.

"Cilado qoftë nga dy skenarët e mundshëm të ndodhë, është më se e nevojshme të ecësh përpara. Ne nuk mund të lëmë një boshllëk institucional, një vakum politik. Ne duhet të kemi institucione legjitime sa më shpejt të jetë e mundur, ”tha Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës të martën.

Ramush Haradinaj

Albulena Haxhiu nga partia e opozitës Vetëvendosje ka thënë se parlamenti duhet të shpërbëhet.

"Shpërndarja e parlamentit është rruga e duhur për zgjedhje", tha Haxhiu.

Lumir Abdixhiku, deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK pohoi se Thaçi kishte frikë se Partia e tij Demokratike e Kosovës, PDK do t’i humbasë zgjedhjet.

"Kjo është arsyeja pse Thaçi nuk cakton një datë zgjedhjesh" tha Abdixhiku.

Haradinaj, i cili dha dorëheqjen më 19 korrik, i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të vendosë nëse kabineti i tij mund të marrë me ligj vendime derisa të jetë krijuar një qeveri e re.

Haradinaj është zotuar se nuk do të lejojë një "vakum qeverisjeje” derisa të jetë krijuar një administratë e re, megjithëse kundërshtarët e tij e kanë pyetur si mund të vazhdojë të qeverisë në mënyrë të ligjshme derisa të mbahen zgjedhjet e reja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë