Një 44-vjeçar nga Gjilani ka vdekur sot në Klinikën Infektive të Prishtinës prej Covid-19. Lajmi është konfirmuar edhe nga kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili u ka shprehur ngushëllime familjarëve. Ai e ka çuar në 21 numrin e të vdekurve nga Covid-19 në Kosovë.
“Me keqardhje ju njoftoj se ka ndërruar jetë i prekuri me #Covid19, M.I. (1976), nga Malisheva e Epërme e Gjilanit. I ndjeri ishte në hemodializë dhe kishte probleme tjera përcjellëse. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, Malishevës dhe gjithë qytetarëve të Gjilanit. Do të jemi pranë familjes për ta përballuar dhembjen”, shkruante Haziri në një postim në profilin e tij.
“Ju lutem mos dilni, vetëm në raste kur është patjetër. Ai që i thyen rregullat e karantinës dhe që nuk e respekton orarin e daljes, do të ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi. #rriNshpi”, u shpreh Haziri
Autoritetet në Kosovë thanë të shtunën në mbrëmje se një grua e ditëlindjes 1947, nga Shtimja, ndërroi jetë për shkak të Covid-19. Ajo ishte shtruar për trajtim në Klinikën Infektive të Prishtinës qëe më datë 20 prill, por mjekët thanë se gjendja e saj ishte e renduar për shkak edhe të sëmundjeve të tjera kronike.
Të shtunën mbrëma Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha se janë konfirmuar edhe 28 raste të reja të të prekurve. Prej tyre 14 raste nga komuna e Rahovecit, 4 nga Gjilani, 2 raste nga komuna e Pejës 2 raste nga komuna e Kaçanikut 2 raste në Malishevë, 2 raste nga komuna e Prizrenit dhe nga 1 rast në Prishtinë dhe Istog.
Rastet e reja e çuan në 731 numrin e përgjithshëm të të prekurve. Po të shtunën 3 pacientë u shpallën të shëruar duke e çuar në 165 numrin e përgjithshëm të të shëruarve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




