Ekonomi

Kosovë/ Oda e Afarizimit kundër izolimit, do të dëmtojë biznesin

Oda e Afarizmit e Kosovës (OAK), përmes një komunikate, thotë se bizneset kanë humbur shumë dhe kanë larguar shumë punonjës nga puna.

“Kjo humbje do t’i shkaktohet shtetit përmes mungesave buxhetore që janë duke u rritur çdoherë e më shumë. OAK-u shpreh indinjatë që Kuvendi ynë nuk është në gjendje të realizojë një veprim të vetëm e i cili është kalimi i Pakos së Rimëkëmbje Ekonomike, duke kërkuar edhe një herë që në këtë pako të merren parasysh kërkesat e bizneseve. Kjo tregon një joseriozitet të lartë të paraqitur në të gjitha instancat shtetërore sa i përket vendimit të fundit të marrë nga Qeveria e Kosovës për mbyllje të ekonomisë”, thuhet në komunikatën e OAK-ut.

Shoqata  thekson se, duke u bazuar në të dhënat e vazhdueshme që marrim nga bizneset dhe gjendjen e rendë në të cilën është biznesi, duke vazhduar t’i mbajë jashtë mundësive të saj punëtorët, këto masa do ta dëmtojnë shumë rëndë biznesin dhe numri i bizneseve të falimentuara do të rritet së bashku me numrin e qytetarëve të papunë.

“OAK-u vlerëson që vendimet e tilla mund të merren vetëm, pasi Qeveria e Kosovës t’i përkrahë bizneset dhe punëtorët për kohën sa këta qytetarë do të jenë të papunë. Qeveria e Kosovës nuk guxon t’ia ndalojë qytetarit dhe biznesit të drejtën e punës dhe të mos i sigurojë mjete për ekzistencë. Jemi të vetëdijshëm që në bazë të realitetit që po ndodh në terren, shumicën e shpenzimeve për mjekim po detyrohet t’i sigurojnë vetë qytetarët pa ndonjë ndihmë nga jashtë. Dhe këto nuk mund t’i siguroj në qoftë se është i papunë dhe nuk ka përkrahje nga shteti”, thuhet në njoftimin e OAK-ut.

OAK-u konsideron që Qeveria e Kosovës së bashku me institucionet tjera shëndetësore duhet të kujdeset që masat për mbrojte nga COVID-19 të respektohen nga qytetari dhe biznesi, por që të mos ketë kufizime në oraret e punës së bizneseve dhe lëvizjes së qytetarëve.

“Jemi në një gjendje të rëndë financiare, shëndetësore, duke përfshirë edhe atë psikologjike, prandaj nevojitet një seriozitet në komunikim dhe injektim emergjent të mjeteve monetare përmes subvencionimeve emergjente. Adresa përmes së cilës do të duhej të realizoheshin këto vendime do të duhej të ishte Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik e jo thirrjet e kryeministrit 10 ose 20 minuta më herët për të marrë vendime të rëndësisë së jashtëzakonshme, siç ndodhi kësaj radhe”, përfundohet në komunikatë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë