Kryeministri Albin Kurti ka prezantuar pakon e re të ndihmave, në një konferencë për media, ku tha se për muajin prill do ta dyfishojnë vlerën e asistencës sociale.
Për këtë muaj, pensionistëve do t’iu shtohen nga 100 euro shtesë. E njëjta sasi do t’u ndahet edhe punëtorëve të sektorit privat e atyre të sektorit publik.
“Për herë të parë, do të mbështesim me 100 euro të gjithë punëtorët e sektorët privat. Në kuadër të kësaj pakoje do të ndahen edhe nga 100 euro për mbi 80 mijë zyrtarë publikë.
Për herë të parë, do të mbështeten të gjithë studentët nga 100 euro. 80 mijë student do të përfitojnë nga kjo…Vlera totale e kësaj është mbi 100 milionë euro, do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë ose praktikisht secila familje”, ka deklaruar Kurti.
Kurti tha se paga minimale do të rritet në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, dhe paga deri më këtë shumë do të lirohet nga tatimi.
“Ligji për pagën minimale, përveç se rrit pagën për të gjithë përfituesit nën nivelin 264 euro, ofron rritje për pagës neto, si për sektorin privat, ashtu edhe për atë publik. Secili që e ka pasur pagën mbi 250 euro deri më tani, do të përfitojë rreth 80 euro në vit, apo 6.80 euro në muaj, pas lirimit nga tatimi”, tha Ministri i Punës, Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Murati ka thënë se për rritjen e pagës minimale duhet të bëhen disa ndryshime ligjore, duke përfshirë Marrëveshjen me Bankën Botërore për zgjerimin e asistencës sociale, Ligji për pagën minimale dhe Ligji për rishikimin e buxhetit.
Paga minimale në Kosovë është 170 euro. Ajo nuk ka ndryshuar që në vitin 2011.
Agjencia Europiane e Statistikave e ka vlerësuar këtë pagë si më të ultën në Europë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




