Klubi i Prodhuesve të Kosovës kërkon nga Qeveria heqjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për blerje të produkteve dhe shërbimeve vendore.
Në komunikatën për medie të bërë nga Klubi thuhet se “një masë e tillë do t’i inkurajonte blerjet e prodhimeve vendore, do të stimulonte konsumin dhe do t’i ndihmonte punëtorët në fabrika që t’i ruajnë vendet e tyre të punës, në këtë kohë të pandemisë”.
TVSH-ja është tatim që i ngarkohet konsumatorit në mallra dhe shërbime, pa marrë parasysh origjinën e tyre.
Klubi i Prodhueseve shprehet se “përkrahja e kompanive prodhuese të produkteve dhe shërbimeve vendore është e domosdoshme”.
Një masë të tillë, sipas Klubit të Prodhuesve, e ka ndërmarrë edhe Maqedonia e Veriut, ku qytetarët, gjatë periudhës së fundjavës, kanë mundësi të blejnë produkte dhe shërbime maqedonase dhe, pas blerjes, TVSH-ja iu kthehet në llogaritë e tyre.
Nga viti 2015, në Kosovë janë të përcaktuara dy norma të TVSH-së: norma standarde 18 për qind dhe norma e reduktuar 8 për qind.
Disa nga shërbimet dhe mallrat që tatohen me 8 për qind janë faturat e shpenzuara të ujit, ato të energjisë elektrike dhe të ngrohjes, pastaj prodhimet nga drithërat dhe qumështi, vajrat për gatim, librat shkollorë, pajisjet e teknologjisë së informacionit e të tjera.
Për produktet ose shërbimet e tjera, TVSH-ja është 18 për qind.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.