Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha të martën se vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për certifikimin Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve të Kosovës për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit është i detyrueshëm dhe duhet të zbatohet.
Komisioni u mblodh vetëm pak orë pasi Gjykata e Lartë e Kosovës hodhi poshtë ankesën e lëvizjes Vetëvendosje në pushtet ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor i cili urdhëroi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ta certifikojë Listen Serbe.
Të martën nuk u votua në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pasi sipas kryetarit të këtij komisioni “vendimi i Panelit Zgjedhor është i detyrueshëm”.
Me 23 dhjetor dy anëtarë të Komisionit votuan për certifikimin e kësaj liste, shtatë abstenuan, ndërsa kundër votuan përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, duke theksuar se kjo parti e themeluar dhe e mbështetur nga Beogradi nuk e njeh shtetin e Kosovës.
Të martën përfaqësuesit e pushtetit në Komsionin e Zgjedhjeve kundërshtuan sërish cerifikimin e Litës Serbe.
Lista Serbe, e cila u ankua në Panelin Zgjedhor tha se vendimi nuk ka bazë ligjore, ndërsa akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për mos certifikimin e saj.
Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nxiti reagimin e diplomacisë perëndimore dhe vëzhguesve të pavarur, që e vlerësuan atë si të motivuar politikisht.
Bashkimi Evropian tha të martën përmes një komunikate se përderisa Kosova dhe qytetarët e saj gëzojnë një demokraci të gjallë, mos certifikimi i një partie politike për shkak të konsideratave politike dhe jo procedurave ligjore do të ishte një pengesë serioze.
“Të gjithë kandidatët e kualifikuar duhet të kenë mundësinë të marrin pjesë në zgjedhje të lira dhe të ndershme, në përputhje të plotë me ligjin e Kosovës. Procesi i certifikimit duhet të bazohet në standarde dhe procedura ligjore në përputhje me ligjin në fuqi, dhe jo në konsiderata politike”, thuhet në komunikatë duke nënvizuar se pret që procesi zgjedhor të jetë transparentë, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike.
“Përgjegjësia për të ruajtur garancitë demokratike është e të gjithë anëtarëve të KQZ-së, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike. Një çështje e tillë themelore nuk duhet të politizohet dhe të përdoret si zë në fushatën elektorale”, thuhet në komunikatë.
Për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit janë regjistruar 28 subjekte politike, gjashtë nga të cilat janë nga radhët e komunitetit serb.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.