Ekonomi

Kosovë, biznesi i kërkon qeverisë ndryshimin e ligjit për Rimëkëmbjen

Bizneset presin programe të veçanta

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) edhe pse mendon se votimi në lexim të parë i Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike është i vonuar, i kërkon ligjvënësve të marrin parasysh kërkesat e biznesit që sipas tij janë dërguar me rekomandime në Qeveri.

“Ne vazhdimisht kemi bërë thirrje që të kalojë Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike dhe të miratohet në lexim të parë dhe mes leximit të parë dhe të dytë ka mundësi të plotësohet dhe ne veçse i kemi dërguar rekomandimet e para në Qeveri për disa ndryshime të mundshme që kryesisht lidhen me masat që mund ta rrisin kërkesën agregate, por të njëjtën kohë edhe ta lehtësojnë gjendjen e bizneseve, siç janë ato që janë ekspozuar financiar në raport me bankat që i kanë shumat e larta të pagesës së interesit”- ka thënë Berat Rukiqi, kreu i Odës Ekonomike të Kosovës.

Rukiqi kërkon që, disa kategori të bizneseve të përkrahen me programe të veçanta të cilat e tejkalojnë atë çfarë është parashikuar në Projektligjin që është votuar në Kuvend.

Ai është shprehur se dëmi tashmë është bërë, dhe se bizneset kanë pësuar rënie drastike e që sipas tij, kjo do të ndikojë në investime më të vogla, në qarkullim më të vogël dhe në mundësinë që të krijohen vende pune.

“Tashmë veçse është bërë dëmi. Vonesat e kanë krijuar dëmin për shkak se bizneset dhe qytetarët kanë nevojë ta ndijë që institucionet shtetërore janë në nivel të detyrës dhe kanë veprime proaktive në përkrahjen e bizneseve. Gjatë kësaj pandemie me gjithë këto problemet politike që kanë qenë, kanë krijuar dëmin sepse vet kjo mungesa e koincidencës do t’i publikojmë indeksin dhe do të shihet që është një konfidencë e ultë te bizneset dhe me një rënie drastike, gjë që përkthehet pastaj në investime më të vogla, në qarkullim më të vogël dhe në mundësinë që të krijohen vende pune”, ka thënë Rukiqi duke shtuar se “Jemi munduar të bëjmë analiza dhe të japim mendimet tona. Ajo çfarë e kam thënë në cilësinë e përfaqësuesit të biznesit vazhdimisht ka qenë nevoja që paraja të qarkulloj shpejtë në ekonomi dhe të futet në treg dhe pastaj normalisht që krijon efektet e veta”.

Në bazë të dhënave zyrtare që ODA i ka marrë nga ATK-ja, shihet që në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka një rënie të qarkullimit 1 miliard euro dhe çfarë do paraje që futet, sipas Rukiqit, do ta lehtësojë një pjesë të dëmeve por që është krijuar deri tani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë