Nga Gazeta ‘SI’ – Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandatave dhe kuorumit.
Raporti u miratua nga 119 deputetë, aq sa ishin të pranishëm në sallë. Kryesuesi i Komisionit, Artan Abrashi paraqiti para deputetëve raportin për verifikimin e mandateve, bazuar në certifikimin e rezultateve nga KQZ-ja, përmban edhe listën e 120 deputetëve të rinj.
Me 57 vota për, 20 kundër dhe 3 abstenime, Albulena Haxhiu nuk arriti të zgjidhej kryetare e re e Kuvendit të Kosovës. Në votimin për kandidaten e LVV-së për kryeparlamentare, tre deputetët e Nismës abstenuan, ata të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së nuk morën pjesë në votim.
Miratimi i këtij raporti i hap rrugën betimit të deputetëve të legjislaturës së 9-të të Kuvendit të Kosovës
Pas konstituimit të Kuvendit, do të hapet rruga për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Asnjëra parti nuk ka fituar vota të mjaftueshme që të qeverisë e vetme. LVV-ja, që paraprakisht kishte shprehur dëshirën që të formonte një ekzekutiv vetëm me partitë joserbe, së voni ka ndryshuar qëndrim, duke thënë se i duhet bashkëpunimi edhe me një nga partitë shqiptare të përfaqësuara në Kuvend.
Më 17 Prill, deputeti i zgjedhur nga LVV-ja, Haxhi Avdyli, tha se kjo parti ka arritur marrëveshje me Nismën Socialdemokrate, megjithëse jo të shkruar, për ta formuar Qeverinë e re të vendit. Nisma, e udhëhequr nga Fatmir Limaj, garoi në koalicion me AAK-në dhe disa parti të tjera. Kjo parti ka fituar tri ulëse në përbërjen e re parlamentare. Partitë e tjera shqiptare, që kanë fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës, kanë thënë se nuk preferojnë një bashkëpunim me LVV-në.
Teksa Kosova ende nuk ka institucione të reja dy muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve, Bashkimi Evropian ka thënë se “është thelbësore” që shteti të krijojë sa më shpejt Qeverinë e re, me qëllim që të shtyjë përpara reformat e rëndësishme “në të gjithë sektorët, të cilat do ta përmirësojnë cilësinë dhe kushtet e jetës për popullin e Kosovës”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.