Gazeta Si – Milani është duke mbyllur marrëveshjen me sulmuesen suedeze me origjinë kosovaro-shqiptare, Kosovare Asllani. Ju njohim me sekretet e futbollistes që konsiderohet Ibra në versionin femër. Nga televizioni te pasarelat dhe e argjendta olimpike.

Milani po i dhuron skuadrës së femrave një yll. Një lojtare klasi si Kosovare Asllani, e datëlindjes 1989. Pjesë e Real Madrid, por tani do të forcojë ekipin e Mauricio Ganz. Do të jetë ajo pasardhësja e Valentina Xhaçinti.

Pas një muaji mbush 33 vjeç. Në Suedi e kanë pagëzuar si Ibrahimoviç femër. Sepse është sulmuese dhe me origjinë nga Ballkani. Familja e saj ka origjinë kosovaro-shqiptare. Në kavilje ka tatuazhin e shqiponjës dykrenare.
Që e vogël, në Suedi e kalonte kohën mes hokejit në akull dhe futbollit. Ka pasur gjithmonë dy pasione: detin, ku vrapon sapo gjen kohë, dhe topin. Ka luajtur me klube prestigjioze, si PSG, Mançester Siti, Real Madrid dhe së shpejti Milan.

Me Suedinë Kosovare Asllani ka fituar dy medalje argjendi olimpike, një medalje bronzi europiane dhe një botërore. Sekreti i saj është stërvitja, në veçanti ajo në pjesën e sipërme të trupit.
Duke pasur këmbë shumë muskuloze, ajo i kushton më shumë kohë pjesës tjetër për të pasur një trup të ekuilibruar. Një vend të veçantë zë vrapi. Është një sulmuese atipike në fakt, nuk luan vetëm në majë të këtij reparti. Është lojtare që adaptohet me shpejtësi. Karakteristika e saj kryesore është vrapi me topin në këmbë.

Kosovare Asllani në Suedi është një yll, një personazh shumë i njohur në vend. Ajo është shumë krenare për origjinën e saj shqiptare dhe kosovare. Është e impenjuar në luftën kundër racizmit dhe lufton për barazinë gjinore.
Për këtë, në Vimmerby, në lagjen e Bullerbyn, në 2018-ën është krijuar ‘Asllani Court’. Një fushë futbolli pikërisht në vendin, ku Kosovarja ka hedhur hapat e parë me topin.
“Gjendet në një vend, ku jetojnë shumë persona me ‘background’ të huaj. Fusha është e madhe dhe vajzat e reja kanë mundësinë për të realizuar ëndrrat e tyre”, – ka thënë sulmuesja.

Kosovare Asllani është e impenjuar edhe në modë dhe televizion. Pozon për firmat e njohura dhe ka marrë pjesë në disa dokumentarë. Kur të tërhiqet nga futbolli, shumë e shohin si personazh të seteve fotografike, ose si prezantuese në ndonjë program televiziv.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




