Kosovare Asllani me një gol mahnitës në pjesën e dytë e vulosi fitoren e Suedisë kundër Australisë, për t’ia siguruar kombëtares së vet vendin e tretë në Kupën e Botës për Femra 2023.
Futbollistja nga Kosova gjuajti nga cepi i zonës së 16-metërshit për të shënuar për epërsinë e dyfishtë të Suedisë, e cila e fitoi medaljen e bronztë në Kupën e Botës për herë të dytë radhazi. Fridolina Rolfo e kishte kaluar Suedinë në epërsi me një gol nga penalltia në pjesën e parë.

Kosovare Asllani, 34 vjeçe, është shqiptare e Kosovës. Prindërit e saj emigruan në Suedi para luftës së fundit në Kosovë më 1998-99, ku ajo u lind. Ajo tani luan për klubin e futbollit të grave, AC Milan, në Itali, dhe ka qenë pjesë e Real Madridit në Spanjë dhe Manchester City në Angli.

Asllani, e cila e vizitoi Kosovën vitin e kaluar, në vitin 2017 u shpall futbollistja më e mirë e vitit në Suedi.

Vitin e kaluar, ajo u fut në historinë e futbollit të grave, duke u bërë gruaja e parë që e fiton çmimin “Këmba e Artë” në futbollin ndërkombëtar të grave. Ky çmim prestigjioz i ndahet një futbollisti apo futbollisteje që e ka kaluar moshën 29-vjeçare dhe ka personalitet të fortë dhe karrierë të suksesshme ndërkombëtare. /REL




Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




