Nga përditësimi i të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 15:00 komunat me shumicë serbe kanë përqindjen më të lartë të votuesve në këto zgjedhje lokale në Kosovë.
Në total kanë dalë në zgjedhje rreth 500 mijë votues, ose rreth 27 për qind e zgjedhësve, një shifër e ulët në krahasim me zgjedhjet e tjera vendore, që disa ekspertë në Prishtinë e kanë interpretuar si “protestë” të qytetarëve ndaj politikanëve dhe premtimeve të tyre të pambajtura.
Analistët thonë se pjesëmarrja e ulët favorizon Lëvizjen Vetëvendosje, që në sondazhet parazgjedhore dilte me rënie në krahasim me zgjedhjet e katër viteve më parë.
Ndërkohë, Ëashington Post i ka kushtuar një artikull këtyre zgjedhjeve duke vënë theksin te beteja që zhvillohet për Prishtinën. Lëvizja Vetëvendosje ka për kandidat në kryeqytet ish-ministrin e saj të Shëndetësisë, Arben Vitia.
Votimi në veri, ku jeton shumica e serbëve të Kosovës gjithashtu tërheq shumë vëmendje, pas dy incidenteve në dy muajt e fundit, që kanë çuar në rritjen e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë.
Në total janë 1.9 milion votues, që do të zgjedhin 38 kryetarët e rinj të komunave të Kosovës. Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00.
Janë 2477 qendra votimi. Në garën për komunat janë 166 kandidatë, ndërsa fushata u zhvillua kryesisht përmes kanaleve të komunikimit digjitale, për shkak të masave të vendosura kundër përhapjes së Covid.
Gara më e ashpër është bërë për Komunën e Prishtinës. Aktualisht, kjo komunë drejtohet nga Shpend Ahmeti i Partisë Socialdemokrate.
Nga komuniteti serb, Goran Rakiç u bëri thirrje një ditë më parë që të dalin të votojnë masivisht këtë të diel, por kërcënoi autoritetet e Prishtinës se nëse bisedimet për themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë brenda muajit nëntor, serbët do të dalin nga të gjitha institucionet e Kosovës.
Udhëheqësit serbë në veri të Mitrovicës, përfshirë personat që njihen si të punësuar në strukturat paralele të ngritura nga Beogradi në këtë pjesë të Kosovës dolën të votojnë në grupe, duke përsëritur edhe njëherë tjetër shkeljet e Kodit Zgjedhor.
Lista Serbe është forca e vetme që mbështetet nga Serbia. Në zgjedhjet e fundit vendore ajo fitoi 10 komuna me shumicë serbe, katër prej të cilave në veri të Kosovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




