Gazeta Si – Pasuesi i Bernard Shalandë në stolin e Kosovës do të jetë francezi i njohur, Alen Zhires. Pritet vetëm zyrtarizimi, që me shumë mundësi do të bëhet të mërkurën.
Bëhet fjalë për një emër shumë të njohur të futbollit botëror. Ish-mesfushori i shquar i Francës së viteve ’70-80, ka pranuar të drejtojë Kosovën në vazhdim, pas përvojave që ka pasur si trajner në krye të disa kombëtareve afrikane, siç janë Tunizia, Mali, Gaboni dhe Senegali. Zhires ka drejtuar edhe kombëtaren e Gjeorgjisë, kurse në rang klubesh ka drejtuar Bordonë dhe PSG-në.

Trajneri francez dhe Federata e Futbollit të Kosovës duket se kanë rënë dakord për bashkëpunimin. Madje, sipas medieve kosovare, Zhires ndodhet në Prishtinë aktualisht. Gjatë prezantimit do të zbulohen edhe detajet e kontratës së 69-vjeçarit me FFK-në.
Si futbollist, Alen Zhires ka veshur fanellën e Bordosë dhe Olimpikut të Marsejës. Me kombëtaren franceze ai është shpallur kampion i Europës në 1984-ën. Kosova gjen kështu trajnerin e ri, që pritet të sjellë një frymë të re në skuadër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




