Nga Gazeta ‘Si’- Ashtu sikurse ishte paralajmëruar, qendrat e votimit në Kosovë janë mbyllur në orën 19:00, duke përmbyllur kështu edhe procesin zgjedhor.
Qytetarët patën mundësinë të shprehin vullnetin e tyre gjatë orëve të votimit, ndërsa tani komisionet zgjedhore do të nisin procesin e numërimit të votave. Në qendrat e votimit, ka filluar tashmë procesi, i numërimit.
Sipas autoriteteve zgjedhore, procesi i votimit është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe pa incidente të mëdha, ndërsa pjesëmarrja pritet të bëhet publike në orët në vijim.
Rezultatet paraprake priten të publikohen gjatë mbrëmjes ose në orët e para të mëngjesit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës njoftoi se, pas procesimit të mbi 90 për qind të votave, pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë 40.04%. Siç ka bërë të ditur Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, në një konferencë për media në mbrëmje, të drejtën për të votuar e kanë shfrytëzuar mbi 789 mijë qytetarë.
Për krahasim, në zgjedhjet e vitit 2021, pjesëmarrja ka qenë 48.78%.

Në garë janë 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur, si dhe katër kandidatë për kryeministër: Albin Kurti nga LVV-ja, Bedri Hamza nga PDK-ja, Lumir Abdixhiku nga LDK-ja dhe Ramush Haradinaj nga koalicioni AAK-Nisma dhe partnerët e tjerë.
Zëdhënësi Valmir Elezi në një konferencë për media tha se krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, pjesëmarrja ishte më e ulët.

28 subjektet politike me 1.280 kandidatë, konkurrojnë për mbështetjen e rreth dy milionë votuesve për të siguruar vendet në parlamentin 120 vendesh të Kosovës.
Njëzet nga këto vende u takojnë pakicave kombëtare nga të cilat dhjetë janë për komunitetin serb, nga radhët e të cilit konkurrojnë gjashtë subjekte politike. 125 852 mijë qytetarë votojnë për herë të parë.

Kjo ishte hera e parë që qytetarët serbë në veri u riktheyen kutive të votimit prej vitit 2022, kur Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ishte tërhequr nga institucionet e Kosovës dhe u kishte bërë thirrje serbëve që t’i bojkotonin proceset e ardhshme zgjedhore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



