Kosova mbetet vendi i vetëm në Europë që ende nuk ka mundur të nënshkruajë ndonjë kontratë për blerjen e vaksinave kundër COVID-19 dhe çdo vaksinë e siguruar deri tani, është donacion nga Bashkimi Evropian ose nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Në Kosovë rinisi procesi i imunizimit me 4,680 dozat e vaksinës së kompanive Pfizer dhe BioNTech. Kjo është pjesa e parë e 95,000 dozave që Bashkimi Europian ka ndarë për Kosovën, në kuadër të mbështetjes së vaksinimit në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Edhe në fund të muajit mars, në formë donacioni, Kosova kishte pranuar 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca, si donacion përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra. Këto doza u harxhuan në fund të muajit mars.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu thotë se donacionet janë të mirëseardhura dhe vijnë në bazë të mundësive të shteteve të tjera. Por, Qeveria e Kosovës, thotë ai, duhet të angazhohet për të blerë vaksina me paratë e buxhetit të Kosovës dhe në këtë drejtim, ekzekutivi duhet të jetë transparent.
“Ne shumë pak jemi të informuar. Javën e kaluar kemi biseduar me ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia. Ai ka treguar disa dëshmi se janë në rrugë të mirë dhe në fazën përfundimtare për kontraktim nga buxheti dhe blerjen e këtyre vaksinave. Në një mënyrë është dëshmuar se kjo do të ndodhë gjatë muajve të vijim”, shprehet Sejdiu.
Qeveria e Kosovës është duke neglizhuar procesin e sigurimit të vaksinave kundër koronavirusit për shkak të paaftësisë së saj, thotë Bekim Haxhiu, anëtar në Komisionin për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, nga Partia Demokratike e Kosovës. Imunizimi i masës, thotë ai, nuk mund të ndodhë me donacione.
“Qeveria është duke injoruar situatën dhe po tregohet neglizhente në sigurimin e kontratës për vaksina. Kosova është i vetmi vend në Evropë që nuk ka kontratë me asnjë prodhues të vaksinave ose partnerë të tyre për furnizim më vaksina”, tha Haxhiu për Radion Evropa e Lirë.
Deputeti Bekim Haxhiu, në mesin e muajit të kaluar është takuar me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia. Haxhiu tha se takimi ka pasur për qëllim shqyrtimin e ofertës dhe kontakteve me akterët që mund të ndihmojë në sigurimin e vaksinës së kompanisë amerikane, Pfizer. Që nga ky takim mes Haxhiut dhe Vitisë, ende nuk ka ndonjë njoftim për marrëveshje konkrete.
Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë ndonjë informacion nëse janë afër arritjes së ndonjë kontrate me kompani që prodhojnë vaksina kundër sëmundjes COVID-19.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me komisionerin e lartë të Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, kanë parë nga afër procesin e vaksinimit kundër koronavirusit të stafit shëndetësor në Kosovë në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.
Komisioneri Varhelyi tha se ka qenë detyrë e rëndë për të siguruar vaksina, por është i lumtur që sheh njerëzit duke u vaksinuar.
Ai tha se dërgesa e 4 majit është e para në mesin e 95,000 dozave që Bashkimi Evropian i ka ndarë për Kosovën, në kuadër të mbështetjes së vaksinimit në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas tij, dërgesa e radhës do të arrijë në Kosovë në muajin qershor dhe me këto doza do të mund të vaksinohet i gjithë stafi shëndetësor.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërkaq tha se Qeveria e Kosovës është duke u angazhuar për sigurimin vaksinave për të imunizuar 60 për qind të popullsisë. Sipas Kurtit, synohet që deri para verës të vaksinohen grupet e rrezikuara.
“Qeveria është duke punuar pa u ndaluar për të rritur sigurimin me vaksina dhe jemi në rrugë të drejtë në përmbushjen e këtij qëllimi. Ne jemi të bindur se në bashkëpunim më vendet tjera anëtare të Bashkimit Evropian, do të mund të vazhdojmë të përfitojmë nga ky mekanizëm i pakos ndihmëse përmes marrëveshjeve të mëtejme”, theksoi Kurti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




