Gazeta Si – Pritej reagimi pas 3 barazimeve radhazi, por Kosova e ka katranosur më keq në ndeshjen e sotme me Bjellorusinë, ku është mundur 2-1 dhe tashmë objektivi i kualifikimit në Euro 2024 është vetëm një ëndërr. Kjo është humbja e parë për skuadrën e trajnerit Alen Zhires, që duket me valixhe në duar.
Një gabim i rëndë i Kryeziut i hapi rrugën fitores së Bjellorusisë në ndeshjen e zhvilluar në Budapest. Pas 4 ndeshjesh, Kosova mban vendin e 5-të në grupin e saj, shumë larg pritshmërive. Atë e kanë kaluar në renditje edhe Bjellorusia dhe Izraeli, përveç Zvicrës dhe Rumanisë. Vendi i dytë është 5 pikë larg aktualisht.

Kosova e dominoi ndeshjen dhe krijoi raste të mira shënimi, por pa rezultat. Në minutën e 73-të ishin vetë ‘Dardanët’ ata që komplikuan gjithçka me një gafë të Kryeziut, i cili ktheu topin prapa, duke dhënë një asist për sulmuesin bjellorus Morozov që nuk e kishte të vështirë të shënonte.
Vetëm pas 2 minutash Bjellorusia realizoi edhe golin e dytë, pas një aksioni nga e majta, të finalizuar nga Ebong. Skuadra e Zhires u fut në lojë në minutat e fundit, pasi Muriqi shkurtoi në 2-1 me penallti, por vetëm kaq. Kosova po kalon një krizë të vërtetë në këto eliminatore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




