Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të shtyhet bllokimi i llogarive bankare për tatimpaguesit që kanë detyrime ndaj shtetit. Teksa në Shqipëri kjo çështje nuk po diskutohet më, pasi do kohë më parë, në fundvitin që lamë pas, ministrja e financave Anila Denaj do të deklaronte që “është një çështje që kërkon analzië të gjatë dhe kohë”.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 60-të saj, një ndër vendimet që ka marrë sot (të enjten), është edhe miratimi për shtyrjen dhe lirimin e bllokimit të llogarive bankare për tatimpaguesit që kanë detyrime ndaj ATK-së deri më 30.04.2021.
“Qeveria ka shqyrtuar dhe miratuar vendimin për shtyrjen dhe lirimin e bllokimit të llogarive bankare të tatimpaguesve që kanë obligime tatimore, ndaj Administratës Tatimore të Kosovës deri me 30.04.2021. Kjo masë do të lehtësoj ushtrimin e aktivitetit ekonomik të të gjithë tatimpaguesve, në gjendjen e krijuar nga pandemia COVID-19. Vendimi do të jetë në fuqi deri më datë 30.04.2021, dhe sipas tij hiqen ndëshkimet për të gjithë tatimpaguesit që kanë detyrime tatimore të pashlyera në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), nëse kryejnë pagesën e tatimit bazë dhe interesit deri më 30.06.2021”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Zyra e kryeministrit thekson se “Heqja e ndëshkimeve, të cekura më lart do të bëhet për të gjithë tatimpaguesit nëse bëjnë pagesën e njëhershme të tatimit dhe interesit; bëjnë marrëveshje me ATK-në për pagesë me këste; ose në marrëveshje me ATK-në e paguajnë tatimin dhe interesin”.
Aty theksohet se vendimi detyron Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) që gjatë kësaj periudhe ti mundësojë tatimpaguesve të kryejnë detyrimet tatimore bazuar në mundësitë financiare të tatimpaguesve, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit të tyre financiar.
Ndërkaq, në Shqipëri Florian Zekja nga shoqata Pro Eksport Albania thotë për gazetën “Si” se “Ministria e Financave nuk e prek më këtë temë”.
Pavarësisht situatës shkatërruese që krijoi pandemia për bzineset, ministrja Denaj do të deklaronte se “detyrimet që bizneset i kanë shtetit, i kalojnë kufijtë kohor të krizës së shkaktuar nga pandemia, prandaj kërkon kohë shqyrtimi dhe zgjidhja e çështjes”.
Ndërsa aktualisht bizneset përpos krizës, po vuajnë edhe mungesën e aushtrimit të aktivitetit për arsye se kanë të bllokuara llogaritë dhe asete të tjera.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.