Kosova

Kosova shtrëngon masat anti-COVID, nga sot kërkohet certifikata me dy doza vaksine

Nga sot(3 janar), për të hyrë në Kosovë, çdo qytetar duhet të ketë certifikatën e vaksinimit anti-COVID me dy doza.

Vendimi është miratuar nga qeveria e Kosovës më 1 dhjetor të vitit të kaluar në kuadër të masave anti-COVID, një pjesë e të cilave kanë hyrë në fuqi menjëherë.

Personat të cilët nuk i kanë dy dozat e vaksinës, do të kenë mundësi të vaksinohen në pikën kufitare, aeroportin “Adem Jashari” dhe në pikat kufitare në Vermicë, Merdare, Dheu i Bardhë dhe Hani i Elezit.

Masat e tjera anti-COVID në Kosovë

Sipas masave anti-COVID që janë në fuqi, lëvizja e qytetarëve lejohet nga ora 05:00 e mëngjesit, deri në orën 00:00 të mesnatës.

Lokalet e gastronomisë lejohen të punojnë deri në orën 23:00, ndërsa muzika duhet të ndalet në orën 21:30.

Çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë (me dy doza) kundër COVID-19, apo certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë, jo më e vjetër se katër (4) javë, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë, ose certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë bashkë me dëshminë se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë