Qeveria e Kosovës ka sanksionuar 183 individë dhe 26 entitete të Bjellorusisë, që janë të lidhur me regjimin e udhëheqësit autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka.
Në mbledhjen e ekzekutivit të mbajtur këtë të mërkurë, u tha se Kosova do të zbatojë sanksionet e vendosura nga Këshilli i Bashkimit Evropian.
Zëvendësminsitrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, tha se të gjitha masat kufizuese janë ndërmarrë në koordinim me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe Kanadanë.
“Duke pasur gjithnjë qëllim promovimin dhe mbrojtjen e paqes, demokracisë dhe të drejtave të njeriut kemi marrë një vendim që do të kontribuonte në vazhdimësi të bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-në, BE-në dhe partnerët ndërkombëtarë”, tha gjatë mbledhjes zëvendësministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Liza Gashi.
Në sanksione përfshihet ngrirja e aseteve në Republikën e Kosovës, ndalimi i udhëtimit për individët e sanksionuar si dhe ndalimi që individët dhe entitetet në Republikën e Kosovës që të vendosin fonde në mënyrë direkte apo indirekte për individët dhe entitetet e sanksionuara.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk kanë konfirmuar nëse individët dhe entitetet e sanksionuara kanë asete në Republikën e Kosovës.
Bashkimi Evropian në dhjetor të vitit të kaluar kishte vendosur pakon e pestë të sanksioneve ndaj individëve dhe entiteteve të lidhura me Lukashenkan.
Lukashenka pretendon se ka fituar zgjedhjet e gushtit të vitit 2020, pretendim që është kundërshtuar nga opozita. Pakënaqësitë rreth manipulimit të rezultatit zgjedhor nxitën protesta masive në Bjellorusi, të cilat u shtypën me forcë nga regjimi i Lukashenkas.
Sanksionet e fundit të BE-së dhe Kosovës po ashtu kanë të bëjnë edhe me nxitjen e një krize me migrantë në kufijtë mes Bjellorusisë dhe shteteve të BE-së në fundin e vitit të kaluar. /REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




