Kosova

Kosova refuzon vaksinat ruso-kineze nga Shqipëria: Janë shtete që s’na kanë njohur

Qeveria e Kosovës nuk ka pranuar përdorimin e vaksinave kineze dhe ruse të ofruara nga Shqipëria. Gjatë konfeerencës së kësaj të hëne për shtyp, ku u miratuan 46 pika me masa të ndryshme në lidhje me parandalimin e përhapjes së Covid 19 në vend, kryeministri Albin Kurti tha se Kosova nuk pranon që mësuesit të vaksinohen me dozat e prodhuara në Kinë dhe Rusi.

“Kam qenë në kontakt me kryeministrin e Shqipërisë, lidhur me çështjen e vaksinimit në Kukës, ku kemi kërkuar që kjo t’u mundësohet edhe mësimdhënësve, jo vetëm punëtorëve shëndetësorë, por për këtë gjë, më pas kanë vazhduar komunikimin e tyre ministrat përkatës, Vitia dhe Manastirliu, – tha Kurti. – Në parim, duhet të kemi parasysh se Republika e Kosovës, duke qenë se nuk njihet nga jo pak shtete në botë, në mesin e të cilave, janë edhe dy fuqitë e mëdha, që janë dhe anëtare të Këshillit të Sigurimit, nuk e ka komoditetin e pranimit të vaksinave gjithandej, siç po bëjnë disa shtete të tjera”.

Sipas Kurtit, orientimi i Kosovës, “është europian dhe euroatlantik me shtete, të cilat na kanë njohur, prandaj dhe kemi rezervën tonë, skepticizimin tonë dhe qëndrimin tonë të qartë karshi ofertave të ndryshme që do të mund të na vijnë nga shtete mosnjohëse jashtë Europës. Situata në këtë aspekt është më delikate për ne sesa të gjitha vendet e tjera të rajonit”, – shtoi ai.

Ndërsa ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia, deklaron se procesi i vaksinimit të mësuesve kosovarë në Shqipëri është shtyrë, pasi në dispozicion nuk ka vaksina “AstraZeneca” dhe “Pfizer”, por vetëm “Sinovac”.

Vitia vuri në dukje se ligjet e Kosovës e ndalojnë importimin e produkteve që nuk janë të certifikuara nga EMA, sikundërse është vaksina kineze.

Gjatë konferencës së përbashkët për media me kryeministrin Kurti, Vitia tha se ministrja Manastirliu i ka premtuar se sapo të vijnë doza të tjera të “Pfizer” dhe “AstraZeneca”-s, një sasi e caktuar do të ruhet për mësuesit e Kosovës.

“Dozat e vaksinave “AstraZeneca” dhe “Pfizer” janë harxhuar, siç më ka njoftuar ministrja Manastirliu. Në Shqipëri, po vazhdon vaksinimi me “Sinovac”, e cila është prodhuar nga Kina dhe për arsye se në Kosovë na ndalojnë ligjet që të importojmë produkte që nuk janë të regjistruara në EMA (Rregullatori Evropian i Barnave), ne nuk e kemi parë të arsyeshme që mësimdhënësit të vaksinohen. Kjo është arsyeja pse është shtyrë procesi. Manastirliu më ka thënë se sapo të vijnë doza të tjera të dy llojeve të vaksinës, atëherë do ta ndihmojnë Kosovën”, – shpjegoi ministri kosovar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë