Kuvendi i Kosovës ka formuar Grupin e Punës për hartimin e projektligjit të Kriptovalutave.
Në krye të grupit është zgjedhur deputetja Mimoza Kusari-Lila dhe anëtarja e këtij grupi, Jeta Statofci theksoi se me anë të këtë këtij Ligji synojnë ta krijojnë një bazë ligjore sa më e përshtatshme për kriptovalutat.
“Siç e kemi të paraparë edhe në Planin e Punës është edhe Projektligji për Kriptovalutat. Ne kemi pranuar hulumtimin, kështu që mendoj që është e udhës edhe formimi i grupit punues, i cili do të angazhohet në këtë Projektligj. Propozoj që krahas edhe grupit formues, të ketë edhe angazhim të ekspertëve pasi që është fushë e re për të dhënë kontributin e tyre në krijimin e një baze ligjore sa më të përshtatshme edhe konform nevojave që identifikohen në treg”, theksoi Statovci.
Shumë qytetarë në Kosovë kanë investuar në kriptovaluta, megjithëse nuk është e rregulluar me ligj deri më tani.
Disa të rijnë në Kosovë kanë krijuar një kriptovalutë të quajtur “KosovaCoin”.
Kriptovaluta aktualisht ka vlerë më pak se një cent, por krijuesit e saj mendojnë se asaj do t’i rritet vlera. Deri tani, në këtë valutë, kanë investuar rreth 150 persona.
Kohë më parë përmes një komunikate për media, Banka Qendrore e Kosovës kishte thënë se përdorimi i monedhave virtuale përbën një rrezik që mund të rezultojë me humbje financiare.
“Përdorimi i parave virtuale, siç është për shembull Bitcoin, nuk është i rregulluar ligjërisht dhe përbën një rrezik që mund të rezultojë me humbje financiare. Të gjithë përdoruesit e mundshëm të parasë virtuale njoftohen se në Republikën e Kosovës nuk ka asnjë institucion që garanton rimbursimin e parave të humbura”.
Dogana e Kosovës ka treguar se çfarë lloje të pajisjeve për prodhim të kriptovalutave janë importuar gjatë viteve të fundit në Kosovë.
Dogana nuk ka të dhëna të sakta se sa copë të pajisjeve të tilla janë të importuara, por, në vitin 2016 kur ka filluar ky fenomen, është krijuar një kod i veçantë që këto pajisje të regjistrohen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.