Gjatë vizitës në Athinë, presidenti Zelensky është takuar me homologun, Aleksandar Vuçiç, në një takim të kërkuar prej tij.
Në një postim në rrjetet sociale, Vuçiç bën me dije se bisedoi me Zelenskyn për situatën në Ukrainë, rajonin e Ballkanit, por edhe Kosovën.
Vuçiç deklaroi edhe njëherë se Serbia e respekton integritetin territorial të Ukrainës, dhe kërkoi nga Zelensky të bëjë të njëjtën gjë.
“Një bisedë e mirë dhe e hapur me Presidentin Volodymyr Zelenskiy për të gjitha çështjet e rëndësishme, si për Serbinë dhe Ukrainën, ashtu edhe për të gjithë rajonin dhe botën. Ne i diskutuam ngjarjet në Ukrainë dhe Kosovë, dhe unë edhe një herë theksova se Serbia respekton integritetin territorial të Ukrainës, të cilin ne e kemi thënë qartë dhe pa mëdyshje që nga fillimi i konfliktit”, shkroi Vuçiç në Instagram.
“E ardhmja e përbashkët e shteteve tona është në shtëpinë e përbashkët evropiane”, shkroi Zelensky në rrjetin social X, që më herët njihej si Twitter.
An open, honest, and fruitful meeting with the President of Serbia @AVucic.
— Володимир Зеленський (@ZelenskyyUa) August 22, 2023
Good conversation on respect for the UN Charter and the inviolability of borders.
On our nations’ shared future in the common European home.
On developing our relations, that is in our mutual interest. pic.twitter.com/t7d9DdUH7M
Dy liderët u takuan në Athinë pas një darke joformale me zyrtarët nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, ata të Bashkimit Evropian, Ukrainës dhe Moldavisë.
Beogradi, aleat i Moskës, nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë pas nisjes së pushtimit të paprovokuar të Ukrainës shkurtin e vitit të kaluar.
Megjithatë, Serbia ka votuar disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara që kanë dënuar pushtimin rus.
Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, Serbia nuk i ka vendosur sanksione Rusisë. Vuçiç ka deklaruar më herët se Serbia po paguan “çmim të lartë” për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Kosova, edhe pse nuk njihet nga Ukraina, ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe ka ofruar ndihma për ukrainasit, përfshirë strehimin e disa gazetarëve të këtij vendi.
Në fillim të gushtit, Vuçiç kishte paralajmëruar se nëse Ukraina do të njohë Kosovën “do të humbë brenda ditës gjithçka që ka në dorë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




