Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla ka pranuar ftesën e Greqisë, për të vizituar Athinën, edhe pse nuk ka ende informacione zyrtare se kur mund të ndodhë kjo vizitë.
Greqia është një prej pesë shteteve të Bashkimit Europian që nuk e ka njohur ende Kosovën, por ka Zyrën e saj ndërlidhëse në Prishtinë. Përveç Greqisë, pavarësinë e Kosovës nuk e kanë njohur as anëtaret e BE-së: Sllovakia, Qipro, Rumania dhe Spanja.
Ftesa për vizën e Gërvallës në Athinën zyrtare, u bë përmes udhëheqëses së Zyrës ndërlidhëse greke në Kosovë, Chryssoula Aliferi, gjatë një takimi më 15 prill, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
Në këtë takim, Kurti ka kërkuar nga Aliferi, që Greqia t’i bashkohet shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por sipas qëndrimit të Athinës zyrtare, që është publikuar edhe në faqen e Zyrës ndërlidhëse në Prishtinë, çështja e njohjes varet nga rezultati i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kosova, e interesuar për thellimin e bashkëpunimit me Greqinë
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës deklaron se Prishtina dhe Athina zyrtare tashmë kanë marrëdhënie të mira dypalëshe dhe shton se “Kosova është shumë e interesuar në thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional me Greqinë”.
“Kosova është e angazhuar për të forcuar bashkëpunimin në të ardhmen dhe në mënyrë që ky bashkëpunim të rezultojë me njohje nga Greqia, si një shtet i rëndësishëm për ne në BE dhe në rajon”, tha MPJD-ja.
Ministria po ashtu tha se Kosova është optimiste për këtë çështje, duke pasur parasysh fuqizimin e marrëdhënieve dypalëshe midis dy vendeve. Për më tepër, ne jemi duke punuar në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe në fushën e ekonomisë, kulturës, por edhe në fusha të tjera, që janë të rëndësishme për të dyja vendet”, tha ministria.
Ndërkaq, sa i përket qëndrimit politik të Greqisë ndaj Kosovës, Athina thekson se “ne mbështesim plotësisht dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, nën ndërmjetësimin e BE-së, proces ky që i ka dhënë një shtysë të konsiderueshme kursit europian të të dyja vendeve”, duke përfunduar se këtë kurs, Greqia e promovon për Ballkanin Perëndimor në tërësi.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu nuk ka treguar saktë nëse autoritetet e Kosovës do të ndërmarrin ndonjë hap konkret për të bindur pesë shtetet anëtare të BE-së, që nuk e njohin Kosovën.
Sa i përket marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Athinës zyrtare, Kryeziu theksoi se Greqia ka mbështetur Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare si dhe mbështetë vendimin për liberalizimin e vizave dhe integrimin evropian të Kosovës.
“Ne besojmë se kjo qasje miqësore duhet të rezultojë në bashkëngjitjen e Greqisë me shtetet e tjera të BE-së që e kanë njohur Kosovën”, tha Kryeziu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




