Kosova

Kosova nuk mund të garantojë lirimin me kusht të Thaçit dhe të akuzuarve të tjerë

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se nuk mund të jenë garantuese për lirimin me kusht të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë edhe ish-presidentin Hashim Thaçi, të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Gjykata Speciale në Hagë.

Zëdhënësi i kryeministrit Albin Kurti Përparim Kryeziu, deklaron se Kosova nuk mund të shërbejë si garantuese për lirimin me kusht të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se garancia nuk kërkohet as nga shteti amë.

“Bazuar në dispozitat ligjore, garancia nuk kërkohet as nga shteti amë (Kosova) e as nga kryeministri i shtetit amë (Qeveria e Republikës së Kosovës), nga i cili vjen i akuzuari. Pra, Kosova nuk mund të shërbejë si garantuese, ashtu siç po raportohet”, tha Kryeziu përmes një deklarate për mediat.

Sipas përgjigjes së zëdhënësit të qeverisë, “gjyqtari Kai Ambos, ka deklaruar kur bëri refuzimin e kërkesës për lirim me kusht të të akuzuarve, deklaroi qartë se ‘shtete të treta’ të mund të shërbejnë si garantuese. Por, Kosova nuk është ‘shtet i tretë’, sepse Gjykata është ligjërisht e pjesë e shtetit të Kosovës”, thekson ai.

Edhe Presidenca thotë se Kosova nuk mund të dalë garant për lirimin e ish-udhëheqësve

Këshilltari për media i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Bekim Kupina, ka thënë se Kosova nuk mund të jetë garantuese për lirimit me kusht të të akuzuarve. “Çështja e garancisë është përmendur në mendimin e ndarë të njërit prej gjyqtarëve (Kai Ambos), por nuk është pranuar si opsion nga Paneli i Apelit të Dhomave të Specializuara. Republika e Kosovës, me asnjë interpretim, nuk mund të konsiderohet shtet i tretë, sepse gjykata funksionon nën juridiksionin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Kupina.

Po ashtu edhe Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanovic ka thënë se nuk mund të ofrojë garanci për ish-homologun e tij, ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

“Kjo është e pamundur, nuk mund të jap garanci të tillë sepse kjo nuk është kompetencë e imja”, ka thënë ai duke iu u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë vizitës në qytetin kroat, Sisak.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Aktakuza ndaj Thaçit sipas presidentit kroat Zoran Millanovic, është një mjet mënyrë për të sulmuar Kosovën. “UUnë nuk jam armik i serbëve, as kam qenë, as nuk do të jem kurrë. Thjesht mendoj se është e dëmshme. Thaçi ose duhet të ishte akuzuar ose duhet të ishte lënë i qetë, sepse disa njerëz nga Beogradi kanë dalë të paprekur”, tha Millanovic.

Ai është i bindur se Thaçi ka të ngjarë të arrijë pleqërinë para gjykatës, për shkak të akuzave “të paprovuara” në raportin e Këshillit të Evropës, lidhur me pretendimin për trafikimin e organeve.

Ai ka shtuar që Kroacia nuk do ta bënte atë që e ka bërë Hungaria, si anëtare e BE-së – që t’i japë azil ish-kryeministrit maqedonas, Nikola Gruevskit, i cili kishte ikur në Hungari, në mënyrë që t’i shmangej dënimit me burg prej dy vjetësh, për shkak të korrupsionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë