Kosova

Kosova nis marrjen e emigrantëve nga SHBA

Nga Gazeta ‘Si’- Kosova po strehon emigrantët e parë të jashtëligjshëm të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara, siç konfirmoi kryeministri Albin Kurti në një intervistë për mediat vendase.

“Nëse s’gaboj, njëri prej tyre ose dy janë këtu. Kemi pranuar që t’i pranojmë 50“, tha Kurti.

Strehimi i tyre është bërë sipas një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara, që u miratua nga qeveria në detyrë e Kosovës në qershor, pas thirrjes së presidentit amerikan Donald Trump ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor që të pranojnë emigrantë të jashtëligjshëm të dëbuar nga autoritetet amerikane.

Marrëveshja parashikon që Kosova të strehojë jo më shumë se 50 emigrantë të jashtëligjshëm të dëbuar, deri në riatdhesimin e tyre në vendet e origjinës.

Autoritetet amerikane janë angazhuar prej muajsh kryesisht në qytetet e mëdhenj të Shteteve të Bashkuara për të kapur e dëbuar çdo emigrant pa një leje qëndrimi të vlefshme. Ata janë kryesisht nga vendet e Amerikës Latine, por edhe nga Afrika dhe Azia.

Kosova është shprehur e gatshme të negociojë edhe me Mbretërinë e Bashkuar për ngritjen e qendrave të kthimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë