Dardanët fitojnë edhe ndeshjen e dytë ndaj Islandës (1-3) dhe me rezultatin e përgjithshëm 5-2 promovohen një Ligë më lart në kompeticionin më të ri për ekipet përfaqësuese në Evropë. Një sukses i rëndësishëm për verdheblutë nën drejtimin e gjermanit Franco Foda. Ndeshja e kthimit ndaj ishullorëve u zhvillua në Murcia të Spanjës për shkak se impianti ku luan Islanda në Reykjavik është në rikonstruksion. Ishullorët kaluan të parët në avantazh me Óskarsson në 2′ pas kombinimit me A. Guðmundsson. 10 minuta përpara pushimit Vedat Muriqi ktheu ekulibrat pas një veprimi individual dhe në 3’ shtesë pas kombinimit me Rashicën është sërish ai që dyfishoi për dardanët.

Në pjesën e dytë “vendasit” ishin të pafuqishëm për të barazuar dhe në 69’ mbetën me 1 lojtar më pak pas dy kartonave të verdhë që mori Gunnarsson (48′ dhe 69′). 10 minuta më vonë Muriqi kompletoi pasditen e tij me golin e tretë që erdhi pas kombinimit me Emërllahun. Deri në fund nuk ndryshoi asgjë dhe dardanët filluan festën për ngjitjen në Ligën B. Kosova do të luajë miqësoren e rradhës ndaj Armenisë në Prishtinë më 6 Qershor përpara se të fillojë fushatën eleminatore për botërorin amerikan ndaj Zvicrës më 5 Shtator.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.