Kosova

Zgjedhjet lokale në Kosovë, LDK prin në Prishtinë. Garë e fortë për Mitrovicën e Veriut

Gazeta Si – Rreth një orë pas mbylljes së qendrave të votimit në Kosovë, ka nisur procesi i numërimit të votave në 38 qendra.

Siç konfirmon KQZ, numërimi përfshin vetëm votat për kryetarë komunash, ndërsa ato për asamblistët do të përditësohen më vonë.

Deri më tani, kryeqyteti i Prishtinës dominohet nga kryetari aktual dhe kandidati Përparim Rama nga radhët e Partisë Lidhja Demokratike e Kosovës me 44.27% të votave. I dyti në garë renditet Hajrulla Çeko, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje me 26.50% të votave.

Ashtu siç e parashikonin dhe Exit Poll-et, Përparim Rama do të dominojë rezultatin me një diferencë të ngushtë nga Hajrulla Çeko, por nuk është përjashtuar mundësia e një balotazhi. Deri më tani janë numëruar 4 kuti votimi nga 268 në total.

Kutitë e para pas procesit të votimit për zgjedhjet lokale në Kosovë kanë nisur të numërohen edhe në komunën e Mitrovicës së Veriut.

Ndryshe nga çfarë pritej, me 1.44% të votave të numëruara, bie në sy një garë e fortë mes Listës Serbe dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Kandidati i serbëve Milan Radojeviç prin momentalisht me 40.16% të votave, por ndiqet nga Erden Atiç me 33.86%. Sakaq, 15.75% të votave i ka marrë kandidatja e Partisë Demokratike, Flutura Hamza Azemi.

Agim Aliu nga Partia Demokratike e Kosovës ka shpallur fitoren në zgjedhjet lokale në komunën e Ferizajt.

Gjatë një fjalimi ai ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë që të qeverisë edhe në katër vjetët e ardhshëm.

“Sonte fituan të gjithë, fitoi Ferizaj dhe ferizajasit. U dëshmua se puna mbizotëron mbi zhurmën”, tha ai.

Parashikimet e nxjerrin atë të parin, duke ia dhënë edhe një mandat në krye të kësaj komune që në rundin e parë të zgjedhjeve.

Në këto zgjedhje, 2.025.105 votues votuan për të zgjedhur kryetarët dhe anëtarët e 38 komunave të vendit. Numri i qytetarëve që u regjistruan për të votuar me postë nga jashtë Kosovës është 43,993 votues.

Të gjitha qendrat e votimeve u hapën në orën 07:00 dhe qëndruan të hapura deri në orën 19:00. Sipas Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, deri në orën 19:00 kanë votuar 39.47% e zgjedhësve.

Numri i subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje është 93, nga të cilat 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar dhe që përfaqësojnë këto subjekte politike është 5,624 kandidatë, prej të cilëve 205 kandidatë për zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe 5,419 kandidatë për zgjedhjet për Kuvende Komunale.

Në zgjedhjet e sotme, Lista Serbe ka kandidatë për kryetarë komunash në të dhjetë komunat me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviç, Zubin Potok, Graçanicë, Shtërpcë, Novobërdë, Kllokot, Partesh, Ranillug si dhe në Obiliç.

Kandidatë në komunat me shumicë serbe kanë edhe disa parti tjera serbe: Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Demokracia Serbe, Lëvizja Popullore Serbe, Aleanca e Kosovës, si dhe disa iniciativa qytetare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë