Kosova

Kosova në krizë parlamentare/ Dështon seanca, nuk betohen deputetët

Nga Gazeta ‘Si’– Ka dështuar seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

Dështimi erdhi pasi nuk kaloi raporti për mandate i deputetëve, i cili nuk mori 61 vota të mjaftueshme.

Komisioni i përkohshëm para deputetëve paraqiti raportin dhe kërkoi që ai të votohej, me qëllim që të verifikoheshin mandatet 120 deputetëve të zgjedhur më 9 shkurt, në bazë të listës së certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Deputetët e LVV-së dhe të Nismës Socialdemokrate kanë votuar pro raportin. Kundër ishin ata të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.

“Pesëdhjetë e dy deputetë kanë votuar pro, 46 kundër dhe 11 kanë abstenuar. Në bazë të kësaj, konstatojmë se raporti i Komisionit të përkohshëm nuk kalon”, tha kryesuesi i seancës.

Pas kësaj, Kuvendi do t’i drejtohet presidentes së Kosovës Vjosa Osmani se si duhet të veprohet më tej.

“Për shkak të rrethanave të krijuar, raporti nuk mori për votat e mjaftueshme, në këto rrethana detyrohemi ta ndërpresim seancën dhe me një letër do të informojmë presidenten se si duhet të veprohet me tutje”, tha Avni Dehari, i cili kryesoi seancën sot.

Seanca prodhoi dhe momente mjaft pikante, duke dhënë sinjale të shumta sa i përket koalicioneve paszgjedhore apo formimit të qeverisë së re. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, nuk janë përshëndetur dhe as kanë biseduar me njëri-tjetrin në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Këta të fundit hynë në koalicion parazgjedhor dhe morën 8 deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit. Por raportohet për një marrëveshje të mundshme mes kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Nismës, Fatmir Limaj për votimin e qeverisë së re. Është raportuar gjithashtu edhe për një pakt mes Kurtit dhe Duda Balje që përfaqëson pakica boshnjake, por deputetja u pa shumë e afërt me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë