Kosova

Kosova ndalon përdorimin e TikTok-ut në institucionet publike

Nga Gazeta 'Si'- Qeveria e Kosovës ka votuar sot për ndalimin e përdorimit të Tik-Tok në rrjetet shtetërore të komunikimit dhe ka urdhëruar të gjithë zyrtarët shtetërorë që ta largojnë atë nga pajisjet zyrtare.

Propozimi për ndalimin e rrjetit social Tik-Tok ka ardhur nga zv.ministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra.

“Me qëllim të rritjes së sigurisë kibernetike MPB i rekomandoi Qeverisë që të ndaloi instalimin, përdorimin dhe funksionimin e aplikacionit TikTok dhe gjitha shërbimeve të tij në gjitha rrjetet shtetërore të komunikimit elektronik. Obligohen të gjitha institucionet publike që të vendosin kufizimet e nevojshme teknike për ndalimin e funksionimit të shërbimit të rrjetit social TikTok”, tha Dobra në mbledhjen e Qeverisë.

Me këtë gjithë zyrtarët publik janë të obliguar që në pajisjet zyrtare të largojnë aplikacionin TikTok. 

Platforma e ndarjes së videove, e cila është në pronësi të kompanisë kineze Bytedance, ka pohuar prej kohësh se nuk i ndan të dhënat e përdoruesve me qeverinë kineze dhe se drejtohet në mënyrë të pavarur.

Por disa ekspertë shqetësohen se informacionet e ndjeshme mund të ekspozohen kur aplikacioni shkarkohet, veçanërisht në pajisjet qeveritare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë