Për shkak të përhapjes së sëmundjes virale PPR në disa qytete të Shqipërisë, Kosova ka ndërmarrë masa kufizuese për të parandaluar përhapjen e saj në vend, përfshirë ndalimin e importit dhe kufizimin e lëvizjes së bagëtive në zonat kufitare.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovës (AUV) ka zgjeruar masën ndaluese për importin e deleve dhe dhive, duke përfshirë të gjithë territorin e Shqipërisë.
AUV ka udhëzuar komunat që të vendosin masa strikte kufizuese të lëvizjes së bagëtive në kullosat e brezit kufitar me Shqipërinë, ndërsa fermerët që t’i mbajnë bagëtitë nën mbikëqyrje dhe të pengojnë çfarëdo kontakti të kopeve të tyre me ato nga Shqipëria.
“Nga sot masa e ndalesës vlen për gjithë territorin e Shqipërisë. Pas rivlerësimit të situatës, lajmërimeve për konfirmime të rasteve të sëmundjes PPR edhe në regjione tjera, AUV ngrit masën kufizuese për tërë territorin e Shqipërisë”, ka njoftuar AUV.
PPR është një sëmundje virale ngjitëse që prek kryesisht delet dhe dhitë, por nuk transmetohet tek njerëzit. Ajo përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshët e sëmura, ndërsa burim i infeksionit janë sekrecionet dhe jashtëqitjet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.