Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ndalojë përkohësisht eksportin e disa produkteve ushqimore në vende të rajonit dhe më gjerë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha në një mbledhje të Qeverisë se qëllimi i këtij vendimi është që të sigurohet furnizimi i qytetarëve me produkte si gruri, misri, mielli, vaji ushqimor, kripa e kuzhinës dhe sheqeri.
“Invazioni dhe agresioni ushtarak rus në Ukrainë ka ndikuar në zinxhirin e furnizimit me produkte ushqimore në Evropë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me institucionet përkatëse dhe akterët në treg ka përcjellë rritjet e çmimeve të produkteve në vend dhe evidencën e eksporteve të mallrave. Sot MINT ka sjell vendimin që ndalon eksportin dhe ri-eksportin të disa produkteve agro-ushqimore”, tha Kurti
Eksporti i mallrave “Made in Kosova” në muajin shkurt, sipas të dhënave të Agjencisë se Statistikave të Kosovës, kishte vlerën 65.2 milionë eurove, ndërsa importi vlerën e 414.7 milionë eurove.
Ndërsa, sipas ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari eksporti apo rieksporti i këtyre produkteve mund ta rrezikojë furnizimin e qytetarëve në vend.
“Eksporti dhe rieksporti i mallrave sado i vogël që është mund të rrezikoj furnizimin e popullatës sonë në të ardhmen. Në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe duke i përcjellë eksportet në baza ditore, prandaj për të lehtësuar gjendjen propozojmë që të bëhet ndalimi i përkohshëm i disa produkteve themelore. Vendimi mbështetet në Ligjin për Tregtinë e Jashtme dhe atë të Brendshme. Ndalohet eksporti apo rieksporti si drithërat, mielli, vaji ushqimor, sheqeri dhe kripërat”, tha Hajdari.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




