Kosova

Kosova mund të shtyjë zgjedhjet lokale për shkak të situatë së Covid

Rritja e ndjeshme e të infektuarve dhe viktimave për shkak të pandemisë mund të bëjë që zgjedhjet lokale në Kosovë të shtyhen.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të mbajë sot takim me përfaqësuesit e të partive politike për të kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve, në përputhje me rekomandimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Por kërkesa është hedhur poshtë nga të partitë opozitare, të cilat janë bashkuar kundër shtyrjes së votimeve duke kërkuar që ato të mbahen ashtu sic ishin planifikuar, më 17 tetor të këtij viti. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka dalë publikisht kundër kësaj ideje. Sipas IKSHPK-së, mbajtja e zgjedhjeve do të ndikonte në rritjen e rasteve me koronavirus dhe për pasojë do të rriste edhe rrezikun e rritjes së rasteve të vdekjeve.

“Meqenëse procesi zgjedhor mund të ketë ndikim të shtuar në përhapjen dhe rritjen e rasteve me COVID-19, ne rekomandojmë shtyrjen e procesit zgjedhor, ndalimin e aktiviteteve publike, grumbullimit të qytetarëve dhe tubimet publike të të gjitha llojeve dhe natyrave pa përjashtim, deri në vlerësimin epidemiologjik të radhës”, thuhet ndër të tjera në letrën e IKSHPK-së.

Por Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi thotë se kërkesa është e papranueshme.

“Ne do të marrim pjesë në takimin me Osmanin dhe do të japim vërejtjet tona. Është kërkesë e paarsyeshme dhe panevojshme, ne jemi kundër si LDK. S’ka legjitimitet asnjë institucion lokal pastaj dhe mungesa e legjitimitetit do të shkaktonte problem të mëdha”, thotë Gashi.

Ai thotë se Qeveria duhet të merret me menaxhimin sa më efikas të pandemisë COVID-19 dhe jo të tentojë shtyrjen e zgjedhjeve. “Nëse bëhet fjalë për çështje të sigurisë nga COVID-19 atëherë duhet të merren masa parandaluese, distanca, tubimet e vogla, mund të eliminohet fushata, ka plot zgjidhje. Asnjë vend në botë nuk i ka anuluar dhe mendoj se as ne nuk mund ta bëjmë”, thotë Gashi.

Nga ana tjetër, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj, thotë se shtyrja e zgjedhjeve nuk është zgjidhje “Nëse shtyhen zgjedhjet ka pasoja shumë të mëdha lidhur me pushtetin lokal. Mundësia për të pasur edhe abuzime me pushtetin në komuna dhe për të mos pasur menaxhim të mirë, efikas, është shumë e madhe”, thotë Dreshaj.

Sipas tij, Kosova ka mbajtur zgjedhjet e përgjithshme në pandemi dhe se do të duhej të mbaheshin sërish. “Nuk mendoj se është një atribut i mjaftueshëm që situata aktuale me COVID-19, të jetë arsye për shtyrjen e zgjedhjeve.Ne nuk jemi të sigurt se kur do të përfundojë pandemia nëse nuk kryhet vaksinimi masiv i popullatës”, thotë Dreshaj.

Nga ana tjetër, Lëvizjes Vetëvendosje thonë se janë institucionet shëndetësore ato që japin vlerësimin e duhur për këtë çështje.

Por kush ka legjitimitetin për shtyrjen e zgjedhjeve?

Analisti Albert Krasniqi thotë se zgjedhjet nuk mund të shtyhe me vullnetin e presidentes apo ndonjë prej partive politike.

Sipas tij, e vetmja mundësi për t’i shtyrë zgjedhjet është nëse shpallet gjendje e jashtëzakonshme dukë bërë të mundur të zgjatet edhe mandati i kryetarëve të komunave.

“Një tjetër mundësi është që nëse partitë politike që janë në parlament pajtohen që të shtyhen zgjedhjet. Kështu krijohet një kornizë përkohshme ligjore që i jep kompetencë presidentes për t’i shtyrë zgjedhjet”, thotë Krasniqi.

Nëse veprohet jashtë këtyre rrethanave, sipas Krasniqit,  shtyrja e zgjedhjeve do të ishte në kundërshtim me kompetencat kushtetuese dhe ligjore të presidentes.

Në mars të vitit 2020, kur në Kosovë kishte filluar pandemia, ish-presidenti Hashim Thaçi kishte marrë vendim për shtyrjen e zgjedhjeve për kryetar të Podujevës. Derisa në maj të viti të kaluar, kryeministri i tanishëm Albin Kurti kishte kërkuar që të mbaheshin zgjedhjet.

Edhe në këtë rast sipas Krasniqit, nuk është respektuar korniza ligjore dhe ka qenë në kundërshtim me kompetencat e presidentit. Sipas tij, ky rast nuk do të duhej të merrej si precedent që të shtyhen sërish zgjedhjet.

Ndërkaq, epidemiologu Hamdi Ramdani thotë se Kosova duhet të fokusohet në luftën kundër pandemisë, pasi aktualisht numri i të vdekurve nga COVID-19, është shumë i lartë.

“Çështja e shtyrjes së zgjedhjeve për disa ditë ose disa javë, është krejtësisht politike. Por, mendoj se çdo institucion, çdo qytetar, çdo politikan, duhet të fokusohet në mënyrën se si të luftohet pandemia COVID-19”, thotë Ramdani.

Prej muajit të kaluar, Kosova ka regjistruar numra të lartë të infektimeve ditore, por edhe të viktimave. Vetëm gjatë dhjetë ditëve të fundit, në Kosovë janë regjistruar 237 viktima.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë