Ne rrjet

Kosova mund ta padisë Serbinë për gjenocid vetëm nëpërmjet Shqipërisë, por Rama nuk është “i bindur”

Ndërkohë që po përgatitet për dialogun me Serbinë, Kryeministri Albin Kurti e ka bërë të qartë se kryefjala e vitit të tij të parë si kryeministër do të jetë padia ndaj Serbisë për gjenocid në Kosovë.

Kurti ka njoftuar se tanimë procesi për përgatitjen e një procesi gjyqësor për sjelljen e Serbisë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ka filluar dhe do të sjellë drejtësi për viktimat e gjenocidit në Kosovë. Kurti promovoi padinë e gjenocidit gjatë fushatës së tij për zgjedhjet e shkurtit dhe ishte ndër planet e para që njoftoi kur shpalli programin legjislativ për mandatin e qeverisë së tij të re në detyrë.  Por duke qene se nuk është pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ekspertët thonë që Kosova mund ta padisë Beogradin vetëm nëpërmjet një vendi të tretë, i cili ka më shumë gjasa do të ishte Shqipëria.

“Ne jemi të bindur që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë në luftën e fundit tek ne dhe kjo e meriton një padi dhe qeveria e Republikës së Kosovës e ka përgatitjen e saj obligim ndaj historisë tonë, ndaj qytetarëve që kanë plagët e hapura dhe qe besa edhe ndaj ardhmërisë sonë, që kërkon një shtet demokratik, një shtet të drejtë në të cilin dihet qartë se kush është agresori e kush është viktima”, tha kryeministri Kurti pas miratimit të programit të vet qeveritar.

Megjithatë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shprehur rezervat e tij ndaj këtij planit, duke thënë se nuk është i bindur se ky është momenti i duhur për të ngritur padinë ndaj Beogradit zyrtar. Në një intervistë për “Euronews Serbia”, pas samitit të Ballkanit Perëndimor ë Tiranë, Rama ka nënvizuar se palët duhet të fokusohen tek e ardhmja për të zgjidhur njëherë e mirë problemet e së shkuarës.

Por megjithatë, vendimi përfundimtar sipas tij i takon klasës politike në Prishtinë dhe jo Tiranës zyrtare.

“Së pari, kjo është një çështje shumë e komplikuar në aspektin e përmbajtjes ligjore. Së dyti, unë mendoj dhe e kam thënë publikisht, në bisedime dhe po jua them edhe juve, ne duhet të fokusohemi tek zgjidhja e këtij konflikti dhe tek e ardhmja. Dhe ne duhet të mendojmë më shumë se sa vite mund të vazhdojmë të humbim duke mos zgjidhur këtë konflikt. Nuk ka fitues pa zgjidhje. Gjenocid është një fjalë shumë mirë e përkufizuar në arkitekturën juridike të njerëzimit dhe mendoj se do të ishte jo një iniciative që do të sillte rezultate, që do të ndihmonte paqen dhe bashkëpunimin, por është një vendim i pavarur i tyre dhe jo i imi apo i shqiptarëve”, tha Rama.

I pyetur nëse do ta mbështeste padinë në rast se Kosova ia kërkon një gjë të tillë, Rama ka sugjeruar se pala kosovare, pavarësisht së drejtës autonome për të vendosur, duhet më parë të ndjekë një shteg konsultimesh me aleatët dhe partnerët e saj.

“Ne kemi qenë shumë të qartë, më shumë se njëherë. Parlamenti shqiptar ka miratuar shumë rezoluta në historinë e tij dhe gjëja e fundit për të thënë, dhe është shumë e rëndësishme, është se ne nuk jetojmë në një botë ku jemi të vetëm. Ndaj kemi partnerë dhe aleatë. Vetë Kosova është një realitet i ri që është rezultat i përpjekjeve madhore brenda dhe jashtë Kosovës. Ndaj kjo lloj ideje madhore apo vendime madhore nuk duhet të merren vetëm pse dikush mendon  ashtu, por duhen marrë përmes një shtegu të qartë konsultimesh dhe duke dëgjuar partnerët dhe aleatët dhe deri më sot nuk kam dëgjuar askënd të mbështesë këtë ide. E kam fjalën për partnerët dhe aleatët”, shtoi ai.

Duke iu përgjigjur interesit të Euronews Serbia, Rama ka theksuar se e ardhmja e Ballkanit perëndimor është në BE dhe për ta arritur këtë palët, sipas tij, duhet të bashkëpunojnë për të tejkaluar dallimet mes tyre. Për Ramën, Mini-Shengeni Ballkanik është shembulli më i mirë i këtij bashkëpunimi, një nismë që Kurti e sulmoi ashpër edhe pas takimit me liderët e rajonit në Tiranë. Deri më tani, kryeministri Kurti  e ka pasur të vështirë të sigurojë mbështetjen ndërkombëtare për padinë ndaj Serbisë, edhe pse organizata të ndryshme të shoqërive civile janë treguar të kontribuojnë.

Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë mundësinë e një padie nga Shqipëria ndaj Serbisë për gjenocidin në Kosovë edhe gjatë një takimi ish-kryeministri Avdullah Hoti, kur tha se shqiptarët janë një komb, por kanë dy shtete.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti (majtas) dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç

Sipas Ramës, Shqipëria s’mund të bëjë padi ndaj Serbisë në emër të Kosovës, pasi Kosova është shtet tjetër dhe kjo nuk është e mundur. “Ne jemi një komb një familje, por jetojmë në dy shtete e dy shtëpi të ndryshme, dhe mesa unë di një shtet nuk mund të bëjë padi për një shtet tjetër në kuptimin në emër të një shteti tjetër”, tha Rama disa muaj më parë.

Nga ana tjetër kryeministri shqiptar shtoi se fqinjin nuk e zgjedh, dhe kur lë armët duhet të gjesh paqen, për fëmijët e tu.

”Është proces i pashmangshëm, fqinjin nuk e zgjedh e ke aty, e kur zgjedh të lësh armët duhet të bësh cmos të gjesh paqen jo për fqinjin por për fëmijët e tu, por edhe sepse në një proces si ky, duhet bërë pyetja, sot cfarë duhet të presim ne?

Javën e kaluar, Kurti u paralajmërua kundër shtyrjes përpara së kësaj iniciative nga ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde.

“Mendoj se mbase nuk është rruga e duhur përpara. Meqenëse ky do të ishte një proces shumë i gjatë, shumë gjëra në Kosovë mund të vonohen dhe nuk dihet se si do të përfundonte. Nëse më pyet nëse ky është hapi i duhur, përgjigjja ime do të ishte jo nuk është, ”tha Rohde. “Politikisht, të paditësh një vend për gjenocid do të thotë të dërgosh të gjithë vendin në gjykatë, “shtoi ai.

Njohësit e çështjeve juridike nga ana e tyre shprehen skeptik për nismën e qeverisë së Kosovës për ta paditur Serbinë për gjenocid në Kosovë, pikërisht duke përmendur faktin që Kosova nuk është anëtare e OKB-së. Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) shprehet si në aspektin formal, Kosova nuk ka kapacitet për të ushtruar padi për gjenocid ndaj Serbisë. Shtet ndërtimi i Kosovës është i lidhur dhe i varur nga mbështetja dhe ndihma  e partnerëve ndërkombëtarë, andaj edhe çdo veprim në këtë drejtim duhet të ketë vëmendjen e tyre, koordinimin dhe bashkëpunimin. Çdo veprim i njëanshëm i Kosovës pa pajtim me SHBA-në dhe BE-në, kam frikë se do të kishte kundër efekt dhe do të vinte Kosovën në një situatë të pafavorshme”, thotë Ehat Miftaraj.

Sipas tij edhe nëse Kosova do ta padisë Serbinë për gjenocid nëpërmjet Shqipërisë, kjo mund të sjellë telashe të tjera. “Në aspektin formal Shqipëria ka të drejtë të ushtroj padi njësoj si çdo shtet anëtar i Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Por se shtetet e tjera serioze në këtë rast do të hezitonin të ndërmerrnin një hap të tillë duke marrë për bazë lidhjen shumë të afërt dhe vëllazërore që ka Shqipëria me Kosovën”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë