Qeveria e Kosovës miratoi të mërkurën një vendim për zgjerimin e pakos së sanksioneve kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Ky vendim synon që Kosova t’i përshtatet pakos ekzistuese të sanksioneve të ndërmarra nga Bashkimi Evropian ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në mbledhjen e Qeverisë se me këtë vendim, Kosova zbaton edhe “paketën e katërt të sanksioneve të BE-së”.
“Kjo pako konsiston në masa restriktive tregtare, ekonomike, financare, energjetike, industri të mbrojtjes, si dhe ndaj individëve dhe entiteteve shtesë”, tha Kurti.
Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se ky vendim po merret për promovimin e paqes dhe të drejtave të njeriut dhe duke qëndruar “në linjë me aleatët ndërkombëtarë”.
Qeveria e Kosovës kishte miratuar pakon fillestare me sanksione kundër Rusisë, më 25 shkurt, një ditë pas fillimit të pushtimit në Ukrainë.
Përveç sanksioneve, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës u mor vendim që të ndahen 100 mijë euro për dërgimin e një kontigjenti të ndihmave humanitare drejt Ukrainës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




