Kosova pritet të marrë sot 4,680 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech. Vaksinat mësohet se janë pjesë e kontingjentit prej 95,000 dozave që Bashkimi Europian ka ndarë për Kosovën në kuadër të ndihmës në vaksinim kundër COVID-19 për shtetet e Ballkanit Perëndimor”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Në prill, Bashkimi Europian njoftoi se do të shpërndajë 651,000 doza të vaksinave kundër koronavirusit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Nga kjo sasi, Kosova do të përfitojë 95,000 doza, të cilat sipas Ministrisë së Shëndetësisë, do të vijnë “javë pas jave”.
Me kontingjentin e vaksinave që arrin të martën në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë thotë se do vaksinohet personeli shëndetësor, që nuk është vaksinuar gjatë fazës së parë të fushatës dhe më pas personat e moshuar dhe ata me sëmundje kronike.
Kosova nisi fushatën e vaksinimit kundër COVID-19 më 29 mars, me 24,000 dozat e vaksinës së AstraZeneca, të cilat i mori falas nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Kosova në total, pritet të marrë 100,800 doza nga ky mekanizëm.
Qeveria e Kosovës, ka thënë se deri në fund të vitit, planifikohet që të vaksinohen deri në 70 për qind e popullatës. Plani vaksinimit është i ndarë në tri faza. Në fazën e parë janë përfshirë punëtorët shëndetësorë, personat mbi 80 vjeç dhe ata me sëmundje kronike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




