Futboll

Kosova merr barazimin në Izrael, start pozitiv për ‘Dardanët’

Gazeta Si – Kosova barazon 1-1 në Tel-Aviv, duke i bërë një nisje pozitive fushatës eliminatore të Euro 2024. Barazimi në fushën e Izraelit është një rezultat i mirë, shpresëdhënës për më tej. ‘Dardanët’ kaluan në avantazh të parët me një autogol, më pas barazuan vendësit.

Një insistim i Milot Rashicës nga e majta e sulmit solli golin e avantazhit të Kosovës. Dasa, kapiteni i Izraelit, e devijoi drejt portës së tij topin e goditur nga sulmuesi dardan, të cilit iu anulua një gol me VAR në fillim të pjesës së dytë, pasi e kishte prekur topin me dorë.

Izraeli barazoi me Peretz në minutën e 56-të. Ai goditi saktë në pozicion diagonal me portën, duke mposhtur portierin Muriç. Trajneri Zhires bëri lëvizjet e tij nga stoli më pas, duke aktivizuar Fazlijin, Zenelin, Paqaradën dhe Berishën. Kosova jo vetëm arriti ta mbronte rezultatin, por pati edhe dy mundësi të mira shënimi me Rashicën dhe Zenelin. Në fund ekipi i Zires iu gëzua pikës së parë në kualifikuese. E fituar në transfertë, ajo merr vlera më të mëdha.

Kosova bën pjesë në Grupin I të kualifikueseve të Europianit, bashkë me Zvicrën, Bjellorusinë, Rumaninë, Izraelin dhe Andorrën. Zvicra fitoi thellë, 0-5, ndaj Bjellorusisë në ndeshjen e zhvilluar në Novi Sad të Serbisë, duke marrë kryesimin e grupit.

Kapiteni Granit Xhaka realizoi golin e 4-t në këtë ndeshje. Ai goditi fort më te majtën nga jashtë zonës dhe topi pushoi në rrjetë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë