Kosova po mban sot seancën e parë të legjislaturës së tetë të Kuvendit, duke i hapur rrugën e formimit të qeverisë së re, të udhëhequr nga Albin Kurti.
Me 69 vota për, 33 kundër dhe asnjë abstenim, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje u zgjodh kryetar i legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës. Ai ishte zgjedhur në këtë post edhe pas zgjedhjeve të 6 tetorit, të cilën e mbajti për një kohë të shkurtër, duke ia liruar vendin Vjosa Osmanit dhe vetë kaloi në udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Konsitutimi i kuvendit i hap rrugë formimit të ekzekutivit të ri, 37 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Unë zotohem që do ta kryej detyrën time me nder, përgjegjësi e përkushtim”, tha Konjufca, duke shtuar se nuk do të bëjë dallime ndërmjet deputetëve. “Për mua do të ketë vetëm deputetë të barabartë të popullit të Kosovës”, shtoi ai.
Menjëherë pas përfundimit të seancës konstituive, kryetarja e deritanishme e kuvendit, Vjosa Osmani i dha kompetencat Glauk Konjufcës, i cili tha se nuk e përjashton mundësinë që brenda disa orëve të mbahet seanca për zgjedhjen e ekzekutivit të ri.
Lëvizja Vetëvendosje synon që menjëherë pas konstituimit të kuvendit, të procedohet me formimin e qeverisë, për të cilën nevojiten 61 vota.
Ndërkaq, me 107 vota për, gjashtë kundër, u zgjodhën edhe nënkryetarët e kuvendit nga tri grupet më të mëdha parlamentare, Saranda Bogujevci (LVV), Bedri Hamza (PDK) dhe Kujtim Shala (LDK). Nga komuniteti serb u zgjodh, Sllavko Simiq dhe Bekim Arifi nga komunitetet joserbe.
Seanca konstituive u udhëhoq nga deputeti më i vjetër në moshë, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje dhe deputetja më e re, Adelina Grainca nga Partia Demokratike e Kosovës.

Mediat në Kosovë parashikojnë se seanca për votimin e Qeverisë Kurti 2 do të thirret pak orë pasi që të mbahet seanca konstituive e Kuvendit. Kjo javë pritet të jetë finale për krijimin e institucioneve të reja në Kosovë, pasi gjatë javës është diskutuar mundësia që të thirret seancë edhe për presidentin.
Konstituimi i kuvendit i hap rrugë jo vetëm formimit të Qeverisë së re por edhe zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës. Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës i propozon kuvendit kandidatin për kryeministër, i cili jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e qeverisë para kuvendit për votim. Lëvizja Vetëvendosje synon që menjëherë pas konstituimit të kuvendit, të procedohet me formimin e qeverisë, për të cilën nevojiten 61 vota.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit fitoi 50.28 për qind të votave apo 58 deputetë të kuvendit. Partia Demokratike e Kosovës ka 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka tetë deputetë. Nga komunitetet, Lista Serbe ka fituar dhjetë vendet garantuara; dy i ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe nga një deputet partitë boshnjake Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Unioni Socialdemokrat, dhe Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se do ta formojë qeverinë me partitë e komuniteteve joserbe, duke përjashtuar kështu partitë shqiptare dhe Listën Serbe. Edhe në Qeverinë Kurti 1, Lista Serbe nuk kishte qenë pjesë e koalicionit qeverisës, por siç e garanton edhe Kushtetuta, kjo parti që përfaqëson komunitetin serb, kishte udhëhequr dy ministri.
Megjithatë, , LVV-ja nuk mund ta zgjedhë e vetme presidentin e ri të Kosovës. Për këtë post, kjo parti ka nominuar Vjosa Osmanin, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit ishte deputetja më e votuat, me mbi 300 mijë vota. Osmani është ushtruese e detyrës së presidentit të Kosovës që nga nëntori i vitit 2020, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj, tashmë ish-presidentit, Hashim Thaçi.
Osmani dhe Kurti javën e kaluar kanë mbajtur takime konsultative me të gjithë përfaqësuesit e partive parlamentare, duke iu kërkuar atyre edhe votën për presidentin e ri, por partitë më të mëdha opozitare kanë sinjalizuar se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Osmanit.
PDK-ja ka thënë se nuk do të votojë Osmanin për presidente, duke e konsideruar si figurë “përçarëse”, ndërkohë që AAK-ja e Ramush Haradinajt, i cili në zgjedhjet e 14 shkurtit bëri fushatë duke synuar postin e presidentit, ka thënë se i takon Osmanit dhe Kurtit që t’i mbledhin votat për të zgjedhur kreun e shtetit.
Ish-partia e Osmanit, Lidhja Demokratike e Kosovës, ende nuk e ka bërë të qartë se si do të veprojë për zgjedhjen e presidentit. Kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar një takim të ri me Osmanin, për të parë, siç ka thënë ai, qasjen e ish-aleates së tij ndaj LVV-së, partive opozitare dhe nismës politike që ajo ka paralajmëruar.
Ndërkohë, partitë e komuniteteve joserbe kanë shprehur mbështetjen e tyre për t’ia dhënë një mandat të plotë në krye të shtetit, ushtrueses aktuale të postit të presidentit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




