Kosova

Kosova kundër Mini-Shengenit: Ide e lindur në Novi-Sad, që zëvendëson integrimin në BE

Qeveria Kurti vazhdon të kundërshtojë mini-shengenin ballkanik. Prishtina zyrtare thotë se është pro bashkëpunimit rajonal, por vetëm mbi bazën e barazisë dhe mos zëvendësimit të projektit të BE-së. Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu duke kundërshtuar këtë nismë, thotë se çështja e Mini-Shengenit ballkanik nuk ka qenë asnjëherë temë diskutimi në qeveri. Ai tha se kjo ide ka lindur në Novi Sad dhe është një nismë që është në interesin e Serbisë dhe zëvendëson integrimin në BE.

“Për qeverinë e Republikës së Kosovës nuk është riaktualizuar mini–shengeni, për shkak se nuk ka qenë aktual asnjëherë. Ju e dini qëndrimin e qeverisë sa i përket projektit të mini–Shengenit, i cili vendlindjen e ka në Novi Sad dhe më saktë është t’i themi ideja e zonës së Novi-Sadit. Ne si qeveri dhe si shtet jemi të hapur për bashkëpunim rajonal, mirëpo vetëm mbi bazën e barazisë dhe reciprocitetit. Po ashtu jemi të hapur për bashkëpunim rajonal për aq kohë sa ai nuk e zëvendëson projektit e BE-së dhe integrimit tonë, por veçse fuqizon dhe avancon përpjekjen e shtetit tonë pro Ballkanit për anëtarësim në BE”, tha Kryeziu. Ai foli edhe për miratimin e dy nismave nga qeveria Kurti, për nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që do të lehtësojnë lëvizjen e qytetarëve brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Këto nisma janë në është në kuadër të procesit të Berlinit, i cili si proces ka lindur në Berlin, mbështetet nga zyra e kancelares Merkel dhe ka për synim dhe qëllim mbështetjen e Ballkanit Perëndimor për integrim në BE. Gatishmëria jonë për të qenë të hapur për bashkëpunimin rajonal është e tillë që t’i shërbejë Kosovës në integrim të BE-së dhe jo të zëvendësojë me ide të që kanë lindur në Novi Sad”, – shtoi ai. Ndërkohë, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se mini-shengeni nuk është çështje prioritare për vendin. “Sa i përket çështjes së mini-shengenit unë nuk mendoj që është çështje e vdekur, megjithatë nuk është çështje prioritare, as për qeverinë as për qytetarin e Kosovës. Çështjet e bashkëpunimit rajonal janë jashtëzakonisht të rëndësishme, prandaj unë pres që qeveria t’i shqyrtojë të gjitha nismat për themelimin e bashkëpunimit rajonal. Megjithatë, sa i përket çështjes konkrete nuk është që pres nga qeveria ndonjë hap tani për tani”, – deklaroi Kryeziu.

“Çdo iniciativë e cila do të rritë mundësitë për qytetarët tonë të Ballkanit Perëndimor mendoj se duhet të përkrahet. Duhet të shohim se cili është benifiti ekonomik dhe mendoj se zanafilla e bashkëpunimit rajonal ngërthen në vete mundësi dhe benefite ekonomike. Prandaj, të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor i shoh të njëjtë, të barabartë, sepse vetëm ashtu mund të ecim përpara në sfidat që na presin”, tha Kryeziu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë