Futboll

Kosova kërkon drejtësi, do t’i drejtohet UEFA-s dhe CAS-it për ngjarjet në Rumani

Gazeta Si – Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka mbajtur qëndrim zyrtar në lidhje me atë çfarë ndodhi gjatë ndeshjes Rumani-Kosovë. Kjo ndeshje u ndërpre për gati një orë, pas parrullës ‘Kosova është Serbi’ të tifozëve rumunë dhe thirrjeve ‘Serbi! Serbi!’

Nëpërmjet një deklarate, FFK dënon sjelljen e tifozëve rumunë dhe bën me dije se kjo çështje do të ndiqet në UEFA dhe në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.

Banderola e hapur nga tifozet rumune kunder Kosoves. Gazeta Si, 14 shtator 2023

“Federata e Futbollit të Kosovës dënon ashpër incidentin e rëndë të shkaktuar nga tifozët e kombëtares së Rumanisë gjatë ndeshjes kualifikuese për Euro 2024, Rumani-Kosovë. Tifozët e Rumanisë, përmes gjuhës së urrejtjes e dëmtimit të imazhit të vetë kombëtares, përmes sjelljeve jo sportive, kanë denigruar ndeshjen.

Për këtë gjë, Federata e Futbollit të Kosovës ka reaguar menjëherë aty për aty, duke kërkuar suspendim të lojës deri në tërheqjen e pankartave dhe slloganeve të urrejtjes gjatë ndeshjes. Kjo kërkesë e FFK-së është miratuar nga delegati i ndeshjes. Derisa janë tërhequr të gjitha pankartat dhe janë ndalur të gjitha thirrjet urrejtëse kundër Kosovës, nuk ka rifilluar ndeshja.

Pas incidentit, është kërkuar nga delegati i UEFA-s të evidentohen të gjitha shkeljet, që kanë rezultuar me vërejtje ndaj Federatës së Futbollit të Rumanisë. Është kërkuar që të gjitha shkeljet të procesohen te organet përkatëse të UEFA-s.

Kosova kërkon drejtësi, do t’i drejtohet UEFA-s dhe CAS-it për ngjarjet në Rumani. Me kërkesën që të merren masat adekuate në raport me brohoritjet nacionaliste, pankartat dhe gjuhën e urrejtjes. Incidente të tilla nuk duhet përsëritur. Futbolli vetëm ndërton ura ndërmjet nesh, nuk duhen shembur ato.

Falënderojmë edhe një herë të gjithë ata që kanë dënuar incidentin e djeshëm. Përkundër kësaj, FFK ka diskutuar dhe ka mbledhur deklarata dhe materiale të incizuara e të fotografuara, që plotësojnë dosjen e ankesës për dënim të kësaj ngjarje.

Me kërkesë për rishikimin e të gjitha ndodhive nga kontrollorët, specialistët dhe nga sektori i referimit për vendimet e padrejta. Presidenti Ademi ka telefonuar organet kompetente për këtë rast, dhe ka kërkuar të merren masa. Duke përmendur edhe rastin e ndeshjes me Zvicrën për mosdhënien e penalltisë.

E po ashtu edhe rastin e penalltisë së mundshme me Rumaninë e mosdhënien e kartonit të kuq. Në rastin e ndërhyrjes ndaj Rrahmanit. Në këtë drejtim, FFK, në kuadër të procedurave ligjore, për të gjitha shkeljet që janë bërë, do të përgatisë edhe komentet e nevojshme. Dhe do ta dorëzojë padinë në UEFA, si dhe në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv”, – shkruhet në deklaratën e FFK-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë